Ultimatum gjyqhumbësve, Gjykata e Tiranës paralajmëron sekuestrime për shpenzimet e papaguara

23/07/2026 15:15

Gjyqhumbësit e çështjeve civile nuk i paguajnë shpenzimet gjyqësore dhe kjo situatë e ka detyruar Gjykatën e Tiranës të dalë me një ultimatum, duke paralajmëruar se do të angazhojë përmbaruesit për të sekuestruar shumën që qytetarët gjyqhumbës janë debitorë.

Përmes kësaj shpalljeje publike, gjykata kërkon shlyerjen vullnetare të shpenzimeve gjyqësore të pakryera nga 2016 deri në 2026. Mes këtyre detyrimeve përfshihen shpenzimet për psikologët, ekspertët, deri te faturat e parapaguara nga gjykata për njoftimin e palëve për datat e seancave. Gjykata njofton debitorët se, në rast mosshlyerjeje vullnetare, gjykata do të nisë procedurat për arkëtimin e detyrimit në rrugë të detyrueshme.

Sinkron Lorenc Danaj, avokat: Këto shpenzime lidhen me ekspertiza, veprime proceduriale, pagesat e avokatit për palët që humbet gjyqin dhe kjo zgjidhet me tarifën për palën, pasi pala fituese njofton gjykatën dhe ajo lë afat dhjetëditor për ekzekutim të detyrueshëm.

Bëhet fjalë për detyrime që zgjasin një dekadë.

Burimet i thanë TCH se mesatarisht çdo vit, në Gjykatën e Tiranës, fatura e shpenzimeve gjyqësore kap shifrën 11 milionë lekë. E njëjta situatë për qytetarët gjyqhumbës që nuk paguajnë shpenzimet paraqitet në të gjitha gjykatat.

Top Channel