Grupi Houth godet dy cisterna saudite në Detin e Kuq, SHBA intensifikon sulmet ndaj Iranit

23/07/2026 07:20

Përshkallëzohet tensioni në Lindjen e Mesme. Rebelët Houthi në Jemen deklaruan se kanë sulmuar dy cisterna saudite të naftës në Detin e Kuq, ndërsa Shtetet e Bashkuara ndërmorën natën e 12-të radhazi sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake në Iran.

Përshkallëzohet tensioni në Lindjen e Mesme. Rebelët Houthi në Jemen deklaruan se kanë sulmuar dy cisterna saudite të naftës në Detin e Kuq, ndërsa Shtetet e Bashkuara ndërmorën natën e 12-të radhazi sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake në Iran.

Houthit thanë se kanë përdorur raketa dhe dronë për të goditur anijet Encelia dhe Layla, duke i akuzuar se kishin shkelur bllokadën detare të shpallur ndaj Arabisë Saudite. Deri tani është konfirmuar vetëm sulmi ndaj cisternës Encelia.

Autoritetet saudite bënë të ditur se anija u godit teksa lundronte në Detin e Kuq, duke shkaktuar zjarr në pjesën e përparme të saj. Ekuipazhi nuk ka pësuar lëndime.

Ndërkohë, Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi se ka goditur objekte ushtarake iraniane, përfshirë depo raketash dhe dronësh, sisteme të mbrojtjes ajrore, si dhe kapacitete detare. Sipas Uashingtonit, operacioni synon të dobësojë aftësinë e Iranit për të kërcënuar anijet tregtare në rajon.

Media shtetërore iraniane raportoi se nga sulmet kanë humbur jetën dy persona në jug të vendit.

Situata u tensionua edhe më tej në Ngushticën e Hormuzit, ku sipas mediave iraniane një shpërthim në një zonë të minuar shkaktoi zjarr në një cisternë, ndërsa dy anije të tjera u detyruan të kthehen. Garda Revolucionare iraniane pretendon se kalimi në ngushticë është bllokuar dhe se ka ndaluar tre cisterna nafte.

Presidenti amerikan Donald Trump kishte paralajmëruar më herët se SHBA do të godiste objektiva strategjike iraniane nëse Teherani do të sulmonte anije në Ngushticën e Hormuzit. Ai kishte deklaruar gjithashtu se do të “merrej me Houthit” nëse bllokonin trafikun detar në Detin e Kuq.

Përshkallëzimi i situatës po rrit shqetësimet për transportin ndërkombëtar të naftës, pasi Deti i Kuq dhe Ngushtica e Hormuzit janë dy nga rrugët më të rëndësishme të furnizimit global me energji. Raportohet se disa cisterna kanë ndryshuar itinerarin për shkak të rrezikut në rajon.

Top Channel