Dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 27-vjeçare me probleme të shëndetit mendor, shpallet në kërkim 42-vjeçari në Lushnje

23/07/2026 11:12

Në Komisariatin e Policisë Lushnjë, është paraqitur bashkë me 2 familjarë të saj, një shtetase 27 vjeçe me probleme të shëndetit mendor, e cila ka kallëzuar në prani të psikologut, se më datë 22.07.2026, një shtetas kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të.

Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Policisë kryen veprimet hetimore dhe procedurale për rastin dhe në vijim shpallën në kërkim shtetasin S. M., 42 vjeç, banues në Lushnjë, i dyshuar për veprën penale “Marëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi D. Y., 32 vjeç, vëllai i 27-vjeçares, pasi gjatë kohës që motra e tij po kallëzonte në ambientet e Komisariatit, dyshohet se ka djegur me lëndë djegëse, automjetin e nënës së 42-vjeçarit, autorit të dyshuar.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit S. M. dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Top Channel