Vdes në Francë agjenti i modeleve i lidhur me Epstein, emri i tij figuronte mbi 2 mijë herë në dosjet e Departamentit Amerikan të Drejtësisë

22/07/2026 14:21

Daniel Siad, një agjent francez i modeleve, i cili për më shumë se një dekadë dyshohet se organizonte takime mes grave të reja nga industria e modelimit dhe të dënuarit për abuzim seksual Jeffrey Epstein, është gjetur i vdekur në banesën e tij në Colombes, periferi të Parisit.

Lajmi u konfirmua nga zëvendësprokurorja e Gjykatës së Nanterre, Marie-Celine Loverisy, e cila bëri të ditur se do të kryhet autopsia për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes.

Pak para se të ndërronte jetë, Siad kishte dhënë një intervistë për CNN, ku pretendonte se nuk kishte dijeni se dy gra, të cilat ai ia kishte prezantuar Epsteinit, e kishin akuzuar më pas financierin amerikan për abuzim seksual.

Sipas tij, Epstein e kishte bindur se pas dënimit të vitit 2008 kishte paguar për krimet e kryera dhe se ngjarje të tilla nuk do të përsëriteshin më.

“I besoja atij dhe besoja se ky djalë ishte një profesionist”, ishte shprehur Siad.

Dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë tregojnë se Jeffrey Epstein i kishte paguar Siadit dhjetëra mijëra dollarë. Në të njëjtat dosje përfshihen mesazhe ku agjenti francez e informonte Epstein për gra të reja që kishte takuar, ndërsa në disa raste i dërgonte fotografi të modeleve ose kandidateve për asistente.

Në një nga bisedat e publikuara, pasi Siad i dërgoi një fotografi të një gruaje, Epstein iu përgjigj shkurt: “Shumë e madhe.”

Sipas dokumenteve zyrtare, emri i Daniel Siad shfaqet më shumë se 2 mijë herë në dosjet e Departamentit Amerikan të Drejtësisë që lidhen me çështjen Epstein.

Lidhjet e Epstein me industrinë e modës vazhdojnë të jenë objekt hetimi. Ndërkohë, në Francë ishte në zhvillim një hetim penal ndaj Siadit, i cili akuzohej edhe për sulm seksual. Një modele e kishte denoncuar për përdhunim, duke pretenduar se ngjarja kishte ndodhur në vitin 1990, kur ai punonte në Francë. Siad i kishte mohuar vazhdimisht akuzat.

Top Channel