Zjarr në Lazarat/ Erërat e forta rrezikojnë përhapjen e flakëve drejt banesave, shkak dyshohet bashkimi i telave elektrikë Dy muaj pas konferencës së parë si Ministër i Drejtësisë, Toni Gogu raportoi sot përballë publikut.
Në qendër të konferencës ishte Raporti për Sundimin e Ligjit 2026 i Komisionit Evropian, i cili njeh konsolidimin e reformës në drejtësi, përfundimin e procesit të vettingut dhe uljen me 60% të stokut të çështjeve në Gjykatën e Lartë. Sipas ministrit, ky rezultat dëshmon se, kur krijohen kushtet e duhura, është e mundur të reduktohet stoku i çështjeve edhe në shkallët e tjera të sistemit gjyqësor.
“Kush lexon vetëm gjysmën e parë të raportit, gënjen veten; kush lexon vetëm të dytën, gënjen publikun”, u shpreh Gogu, duke theksuar se progresi nuk është arsye për vetëkënaqësi, por shoqërohet me detyra të qarta: përshpejtimin e procedurave, plotësimin e vakancave dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit.
Në aksesin në drejtësi, ministri raportoi se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 3,174 qytetarë përfituan ndihmë juridike parësore falas, 19% më shumë se një vit më parë, ndërsa u dhanë 604 vendime për ndihmë juridike dytësore, me një rritje prej 38%. Në vijim të zgjerimit të këtij shërbimi, brenda korrikut parashikohet hapja e zyrës së re të Ndihmës Juridike Falas në Sarandë.
Pjesë e raportimit ishin edhe rezultatet në fushën e trajtimit të pronave. Ministri bëri të ditur se gjatë këtij viti janë trajtuar me vendim 1,190 dosje, ndërsa janë dërguar 1,730 njoftime zyrtare për plotësimin e dokumentacionit në qarqet Kukës, Dibër, Berat, Gjirokastër dhe Lezhë.
Paralelisht vijon procesi i kompensimit financiar, me rreth 600 dosje që do të përfitojnë kompensimin në masën 70% dhe likuidimin e këstit përfundimtar 30% për rreth 2,000 përfitues, në përputhje me fondet e miratuara.
Për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve në këtë fushë, ministri njoftoi se Agjencia e Trajtimit të Pronave do të zhvillojë dy ditë në javë takime me qytetarët në Drejtorinë e Trajtimit të Pronave, për çështjet e kompensimit dhe njohjes së pronësisë.
Në zbatimin e ligjit të amnistisë, 553 persona përfituan lirim të menjëhershëm, ndërsa 863 përfituan zbritje dënimi. Ndërkohë, 10,594 persona janë aktualisht nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës, duke e zhvendosur fokusin nga lirimi te riintegrimi dhe parandalimi i rikthimit në krim.
Ministri foli hapur edhe për sfidat. Sistemit i mungojnë 111 gjyqtarë në shkallë kombëtare, ndërsa koha e pritjes vijon të mbetet një nga shqetësimet kryesore për qytetarët.
“Besimi nuk rikthehet duke u kërkuar qytetarëve të na besojnë, por duke prodhuar rezultate që ata mund t’i verifikojnë vetë”, tha ai.
Objektivi kryesor mbetet përmbushja e piketave përmbyllëse të Kapitullit 23 deri në shtator 2027.
Në përfundim, Gogu ritheksoi edhe kufirin institucional të rolit të Ministrisë së Drejtësisë:
“Ne nuk komandojmë gjykata dhe nuk diktojmë prokurori. Përgjegjësia jonë është të krijojmë kushtet.”
Top Channel