U arrestua dhe u dërgua në burgun e Pojskës bashkë me foshnjën, publikohen pamjet e dhomës ku po mbahet nëna 34-vjeçare
Dy efektivët e policisë që morën pjesë në ndërhyrjen e së dielës në lagjen Pilastro të Bolonjës, pas së cilës humbi jetën Abderrahim Fakir, janë “të tronditur, të trishtuar dhe të shtangur”.
Kështu është shprehur avokati i tyre, Gabriele Bordoni, duke sqaruar se asnjëri prej tyre nuk është zyrtarisht nën hetim në procedimin e hapur nga Prokuroria për vrasje nga pakujdesia.
Sipas Bordoni, bëhet fjalë për një drejtues patrulle 28-vjeçar dhe një efektiv 23-vjeçar, të cilët u përballën me një ndërhyrje rutinë që përfundoi në mënyrë tragjike.
“Janë dy të rinj që prisnin të kryenin një kontroll të zakonshëm dhe u përballën me vdekjen e një njeriu. Kjo është një përvojë që të lë të tronditur”, tha ai pas një takimi disaorësh me klientët e tij.
Avokati theksoi se veprimet e policëve ishin të përshtatshme dhe se nga pamjet filmike nuk rezulton përdorim i tepruar i forcës. Sipas tij, në vendngjarje ndodheshin dhjetëra banorë që filmonin ngjarjen dhe disa qytetarë madje zbritën për të ndihmuar efektivët gjatë ndërhyrjes.
Ai shtoi se drejtuesi i patrullës kishte aktivizuar menjëherë kamerën personale në trup për të dokumentuar të gjithë operacionin. Videoja, rreth 20 minuta e gjatë, sipas avokatit, nis në momentin kur Fakir godet një person tjetër që po përpiqej të parkonte automjetin e tij.
Ndërkohë, efektivi 23-vjeçar ndodhet me leje mjekësore pasi, sipas mbrojtjes, Fakir u përpoq ta kafshonte gjatë ndërhyrjes, duke i shkaktuar dëmtime për të cilat iu dha një raport mjekësor me 12 ditë pushim.
Pas vdekjes së Fakirit, Prokuroria ka hapur një hetim për vrasje nga pakujdesia, ndërsa mbrojtja e policëve dhe e katër punonjësve të Kryqit të Kuq që ndërhynë në vendngjarje gëzon mbrojtjen procedurale të parashikuar nga ligji gjatë fazës së hetimeve. Deri tani nuk është marrë asnjë masë disiplinore ndaj efektivëve.
Ngjarja ka shkaktuar tensione në Bolonjë, ku një natë më parë u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit në Piazza Maggiore.
Sindikatat e policisë kanë shprehur mbështetje për dy efektivët dhe kanë bërë thirrje që rasti të mos paragjykohet. Përfaqësuesit e tyre kanë theksuar se e vërteta duhet të përcaktohet nga hetimet dhe procesi gjyqësor, jo nga reagimet në rrjetet sociale apo protestat në rrugë.
Top Channel