Dhunohet efektivi i policisë në Shkodër, disa persona e godasin me grushte pas një konflikti
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm mbrëmjen e sotme në cermoninë e diplomimit të 67 oficerëve të rinj të Kursit të Përgatitjes së Oficerit në Akademinë e Forcave të Armatosura.
Kryeministri u shpreh se forcat e aramtosura kanë kaluar një transformim të rëndësishëm krahasuar me vitet e mëparshme.
Sipas tij, sot ushtria shqiptare është më e mbështetur, më e motivuar dhe ka ushtarakët më të mirëpaguar në rajon, ndërsa qeveria do të vijojë të rrisë pagat dhe të përmirësojë statusin e tyre.
“Më vjen shumë mirë që sot jam këtu bashkë me drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm për këtë ceremoni, që padiskutim për 67 oficerët, që sot ne jemi këtu për të kremtuar, është një ditë e paharrueshme. Unë dua ta nis fjalën time me një urim dhe një shprehje respekti për të gjithë prindërit e tyre këtu të pranishëm. Jam i bindur që, nëse për vajzat dhe djemtë që sot hyjnë në rrugën e shërbimit është emocion, për prindërit është një emocion shumë i veçantë, sepse shohin të kurorëzohet një rrugë e gjatë e mirëedukimit dhe mbështetjes me çdo sakrificë për fëmijët e tyre, të cilët sot janë shërbëtorë të atdheut, shërbëtorë me uniformë të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës.
Fjala krenari është një fjalë që mund të futet në çdo fjali në një rast të tillë, por unë nuk e ekzagjeroj po të them që sot është një ditë krenarie për Forcat e Armatosura, trupën pedagogjike dhe Shtabin e Përgjithshëm, jo vetëm se shefi i Shtabit i dha diplomën të birit, i cili duhet të bëjë shumë sakrifica për t’ia zënë vendin babait, por e siguroj që babai na duhet në atë vend për një kohë akoma më të gjatë.
Është krenari sepse sot unë e kam të pamundur të mos kujtoj se në çfarë situate dramatike ka nisur ringritja dhe konsolidimi i forcave tona të armatosura. Kjo fushë këtu, që sot shkëlqen dhe na mirëpret, ka qenë një fushë dheu e papërdorshme dhe, faktikisht, dallimi mes pasqyrës së asaj fushe dhe kësaj sot është simbolik me dallimin se si sot Forcat e Armatosura janë të mbështetura, të motivuara dhe ndiejnë motivim të përfituar nga vëmendja dhe respekti.
Kur kjo fushë ishte një pasqyrë dheu, Forcat e Armatosura mbaheshin në këmbë nga pasioni dhe edukata ushtarake, nga ata që ishin më të keqpaguarit dhe kishin në dispozicion një buxhet ushtarak. Nuk kishin asnjë perspektivë për mënyrën se si gjërat do të ndryshonin. Sot ne kemi forcat më të mirëpaguara të rajonit dhe nuk do të ndalemi së rrituri pagat.
Përkujdesja jonë shkon përtej thjesht dhe vetëm shpërblimit me pagë, sepse më në fund ne jemi fare pranë realizimit edhe të një zotimi tjetër për statusin e tyre. Diçka është gati, është raundi i fundit i boksit mes ministrit të Mbrojtjes dhe Financave, por unë, që më detyrojnë të bëj arbitrin, jam me ministrin e Mbrojtjes. Do ta japim shumë shpejt si një lajm të shumëpritur.
Dua të them se ushtarakët kanë qenë për një kohë të gjatë shumë të nënvlerësuar edhe për shkak të një faze të historisë kur gjërat ndryshuan dhe diçka mungonte. Dukej sikur ushtria nuk ishte më e nevojshme, se do të na mbronin të tjerët, ndërkohë që ushtarakët, pavarësisht të gjithave, vazhdonin t’i shërbenin atdheut.
Është një jetë që askush që nuk e bën nuk e di deri në fund se çfarë sakrifice përbën për ata që veshin uniformën dhe për fëmijët e tyre, që shpesh u mungojnë, sepse detyra i kërkon në fronte dhe situata të vështira.
Kur shoh sot se si po ndryshon prirja dhe se si numri i atyre që po vihen në radhët e aplikantëve rritet, kjo është shenja më e sigurt e një transformimi që nuk ndalet më. Kam besim se të gjithë ushtarakët kanë një shpirt sakrifice për të përcjellë. Ata që janë në fund të karrierës e kanë treguar me vite sakrificën me një uniformë që duhet të ishte e admiruar, por ka qenë edhe e nënvlerësuar”, u shpreh Rama.
Top Channel