Një stuhi e fuqishme ka përfshirë fshatin Vraniq të komunës së Suharekës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në prona private dhe biznese.

Sipas informacioneve të siguruara nga banorët, erërat e forta kanë shembur kosheret e bletëve, ndërsa shtrëngatat kanë rrëzuar dhe thyer pemë në disa zona të fshatit.

Përveç kësaj, janë dëmtuar çatitë e një numri biznesesh dhe banesash, si pasojë e fuqisë së madhe të erës.

Pamjet e siguruara nga banorët tregojnë forcën goditëse të stuhisë, e cila ka shkaktuar shqetësim dhe dëme materiale në zonë.

Sipas banorëve, moti i lig ka nisur që nga dita e djeshme, ndërsa gjatë pasdites së sotme është intensifikuar edhe më shumë, duke përkeqësuar situatën.

Deri më tani nuk ka raportime zyrtare për persona të lënduar, ndërsa pritet që institucionet kompetente të dalin me një vlerësim të dëmeve të shkaktuara nga kjo stuhi.

Top Channel