“Rama i transportoi paratë me avionin privat jashtë”, Berisha pas akuzës publike të eurodeputetit Zdeçovski: Do rikthejmë kërkesën për komision hetimor

21/07/2026 12:48

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha i ka bërë jehonë deklaratës së Eurodeputeti çek Tomas Zdeçovski, teksa ky i ka thënë se Edi Rama përdor familjarët e tij për të transportuar para jashtë shtetit.

Sipas Sali Berishës, “Tomas Zdeçovski, denoncoi dje në një nga mediat e Tiranës, Edi Ramën si njeriun që përdor familjarët e tij për të transportuar para jashtë shtetit, duke shtuar se PD do të kërkojë sërish ngritjen e komisionit hetimor parlamentar.

Zoti Zdeçovski thekson se ne po ndjekim paratë. Po ndjekim pra këtë veprimtari kriminale të Edi Ramës me paratë e grabitura shqiptarëve ose paratë e trafikantëve shqiptarë”, tha Berisha.

Kreu i demokratëve e quan këtë si një nga “aktakuza më e rëndë që i bëhet personalisht Edi Ramës dhe familjarëve të tij nga një personalitet i shquar në Parlamentin Evropian, i cili shprehet se po ndjekim paratë”.

“140 fluturime të Edi Ramës në dy vite me avion në dispozicion, kanë ngjallur dyshime të ligjshme në mbarë Evropën. Dëshiroj dhe uroj që mediat të mos e censurojnë këtë deklaratë bombë të një autoriteti të vërtetë në Parlamentin Evropian, ndaj dhe i lutem zyrës së shtypit t’ia dërgojë pa përjashtim të gjitha medieve me shpresë se do heqin dorë nga censura e një lajmi për të cilin është i interesuar çdo shqiptar i ndershëm pavarësisht nga përkatësia partiake.

PD nuk është mjaftuar me kaq. PD ka paraqitur kërkesën për komisionin hetimor parlamentar për këtë çështje, si një çështje themelore dhe Edi Rama e ka refuzuar në mënyrë kategorike komisionin.

Ka të dhëna tronditëse. Ka të dhëna që provojnë transportin e parave.

Ka të dhëna që faktojnë se valixhet diplomatike të qeverisë shqiptare, me Ismail dhe pa Ismail, janë numerikisht më të shumta se të gjitha valixhet diplomatike të Evropës.

Ju keni parë dhe keni konstatuar ambasadat tona të implikuara në transporte droge.

Por, deklarata bombë e europarlamentarit cek është një kontribut madhor pasi PD do rikthejë përsëri kërkesën për krijimin hetimor parlamentar për të hetuar transportin e parave dhe të drogës me avionin privat taksi të Edi Ramës në mbarë Evropën dhe më gjerë”, tha ai.

 

 

 

 

Top Channel