“Ky vend do të mbetet në zemrën time për gjithë jetën”, Gonzato nderohet me “Yllin e Madh të Mirënjohjes” pas mbylljes së mandatit, ambasadori: Shihemi në BE

21/07/2026 13:34

Në përfundim të mandatit të tij 3 vjeçar, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, është nderuar nga kryeministri Edi Rama me Yllin e Madh të Mirënjohjes.

Pas ceremonisë, Gonzato ka ndarë në rrjetet sociale një mesazh mirënjohjeje për vedin në të cilin shërbeu dhe njerëzit me të cilët punoi dhe takoi. Mesazhin e mbyll duke shkruar “Shihemi në BE”, teksa shprehet se vendi jonë po i afrohet anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë për mua shumë më tepër sesa një treg apo një ekonomi e përbashkët. Ai ka të bëjë me njerëzit dhe vlerat që ndajmë: lirinë, barazinë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.
Këto vlera më kanë udhëhequr gjatë tri viteve të mia në Shqipëri.
Jam mirënjohës për të gjithë shqiptarët e jashtëzakonshëm që kam takuar gjatë këtij rrugëtimi.

Jam mirënjohës që kam qenë pranë tyre, ndërsa Shqipëria i afrohet gjithnjë e më shumë synimit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Kemi qenë kërkues, por të drejtë. Kemi bërë thirrje që të gjithë të jenë pjesë e këtij rrugëtimi drejt një shoqërie ku secili mund të japë kontributin e tij, ku institucionet mbrojnë të drejtat e çdo qytetari dhe ku brezi i ri ka zërin e tij në formësimin e së ardhmes së këtij vendi të bukur.

Faleminderit Kryeministër Edi Rama që më nderuat, në emër të Shqipërisë, me Yllin e Madh të Medaljes ‘Benemerenti’.
Ky vend do të mbetet në zemrën time për gjithë jetën. Shihemi në BE”, shkruan ai.

Top Channel