Franca drejt ndalimit të rrjeteve sociale për nën 15-vjeçarët, ligji pritet të miratohet në Parlament

21/07/2026 20:12

Parlamenti francez pritet të miratojë sot një projektligj që synon të ndalojë aksesin në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç.

Masa, e mbështetur nga Presidenti Emmanuel Macron, synon të mbrojë shëndetin mendor të të miturve dhe pritet të hyjë në fuqi duke nisur nga fillimi i vitit të ri shkollor në shtator.

Projektligji është miratuar më herët nga Senati francez me 243 vota pro dhe vetëm 2 kundër, ndërsa pritet të kalojë edhe në Asamblenë Kombëtare, dhomën e ulët të Parlamentit.

Presidenti Macron ka kërkuar që reforma të miratohet përpara përfundimit të mandatit të tij dhe zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027. Ministrja e Medias Dixhitale, Anne Le Havre, deklaroi se përdoruesit do të duhet të verifikojnë moshën e tyre dhe se llogaritë e personave nën 15 vjeç do të mbyllen.

Sipas planit të qeverisë franceze, ligji do të zbatohet fillimisht për llogaritë e reja nga 1 shtatori. Për llogaritë ekzistuese, ndalimi do të hyjë në fuqi pas përfundimit të periudhës së verifikimit të moshës, më 1 janar 2027.

Megjithatë, disa deputetë kanë shprehur dyshime për zbatimin praktik të masës, veçanërisht për mënyrën e verifikimit të moshës. Deputeti socialist Arthur Delaporte kritikoi mungesën e qartësisë në mekanizmat e kontrollit dhe paralajmëroi se grupi i tij parlamentar mund ta dërgojë ligjin në Këshillin Kushtetues.

Ndërkohë, partia France e Pakënaqur kundërshtoi projektligjin, duke argumentuar se ai mund të dëmtojë anonimitetin në internet.

Përveç kufizimit të rrjeteve sociale për të miturit, projektligji parashikon edhe ndalimin e telefonave celularë në shkollat e mesme. Rregulloret e brendshme të shkollave do të mund të përcaktojnë raste përjashtimore.

Ligji nuk parashikon penalizime për fëmijët apo prindërit e tyre. Përgjegjësia do t’u mbetet platformave online, të cilat do të duhet të verifikojnë moshën e përdoruesve. Komisioni Evropian ka prezantuar së fundmi një aplikacion për verifikimin e moshës në nivel evropian, ndërsa kompani private kanë zhvilluar edhe zgjidhje të tjera teknologjike.

Raportuesja e projektligjit, Laure Miller, nga partia presidenciale Rilindja, tha se vendimi bazohet edhe në paralajmërimet e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Shëndetësore (Anses) për ndikimin negativ që përdorimi i rrjeteve sociale mund të ketë te shëndeti mendor i adoleshentëve.

Sipas saj, do të ketë edhe përjashtime për disa shërbime, si enciklopeditë online dhe platformat me përmbajtje edukative.

Për platforma si YouTube dhe WhatsApp, rregullat do të zbatohen vetëm për funksionet që ngjajnë me rrjetet sociale, si komentet, ndarja e kanaleve apo ndërveprimet publike. Shikimi i videove apo komunikimi privat mes përdoruesve nuk do të përfshihet në ndalim.

Top Channel