Zelensky shkarkon komandantin më të lartë të ushtrisë, vendimi vjen pas disa ditësh protestash
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të ecë përpara me një paketë të re tarifash doganore ndaj rreth 60 vendeve, pavarësisht paralajmërimeve nga këshilltarët e tij se një vendim i tillë mund të krijojë presion shtesë mbi ekonominë amerikane në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit.
Sipas Financial Times, administrata amerikane ka përgatitur tashmë skenarët alternativë, pasi regjimi i përkohshëm i tarifave prej 10% për importet skadon këtë të premte. Tarifat e reja pritet të zëvendësojnë këtë regjim dhe fillimisht mund të variojnë nga 10% deri në 12.5%.
Lëvizja vjen vetëm pak ditë pasi Trump njoftoi vendosjen e një tarife prej 50% për produktet nga Kanadaja dhe një tarife prej 25% për importet nga Brazili, duke konfirmuar se tarifat mbeten një nga instrumentet kryesore të politikës së tij tregtare.
Tarifat e reja do të mbështeten në një bazë të re ligjore, pasi Gjykata Supreme rrëzoi më herët këtë vit tarifat reciproke të shpallura nga Trump gjatë asaj që ai e quajti “Dita e Emancipimit” në prill 2025. Në vend të kompetencave emergjente presidenciale, administrata synon t’i justifikojë masat e reja përmes një hetimi mbi praktikat e punës së detyruar në vendet e prekura.
Ndërkohë, hetime të tjera tregtare janë në zhvillim e sipër dhe mund të hapin rrugën për vendosjen e tarifave edhe më të larta në muajt në vijim.
Sipas raportimeve, disa zyrtarë të lartë të administratës kanë këshilluar presidentin të ruajë marrëdhënie të qëndrueshme tregtare me partnerët kryesorë dhe të mbështesë marrëveshjet e arritura gjatë vitit 2025 për uljen e tarifave.
Nisma e re vjen gjithashtu në një moment kur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë ndikuar në tregjet globale të energjisë, duke shkaktuar rritje të çmimeve të karburanteve dhe duke shtuar presionin mbi koston e jetesës në SHBA.
Megjithatë, administrata ka zbutur disa nga planet fillestare, duke përjashtuar nga tarifat disa mallra të konsumit, si mishi i viçit dhe kafeja, si edhe duke lehtësuar detyrimet për produkte që përmbajnë çelik dhe alumin.
Deri më tani, as Shtëpia e Bardhë dhe as Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së nuk kanë komentuar mbi raportimet për paketën e re të tarifave.
Top Channel