“Do rriten shpenzimet për mbrojtjen”, ministri Ermal Nufi: Forcat e Armatosura do të modernizohen. KAYO prodhon dronë ushtarakë në shtator

21/07/2026 19:48

Shqipëria është vlerësuar me rëndësi strategjike pasi i është dhënë besimi i organizimit të Samitit të Natos në 2027, deklaroi ministri i mbrojtjes Ermal Nufi në një konferencë për shtyp. Ky zhvillim e çon bashkëpunimin në një etapë më të përparuar.

“Koha do të përcaktohet nga vetë Aleanca dhe organizimi është dëshmia më e madhe e besimit për Shqipërinë. Shqipëria dhe NATO po hyjnë në një fazë të re, NATO 3.0, një NATO më e përgatitur, më e aftë dhe që kërkon më shumë përgjegjës”, deklaroi ministri Nufi.

Ministri theksoi se në plan të parë është jo vetëm rritja e buxhetit në fushën e mbrojtjes, por investimi në burime njerëzore dhe kapacitete.

“Prioriteti më i madh i Ministrisë së Mbrojtjes ka qenë dhe mbetet modernizimi i Forcave të Armatosura. Shqipëria po përgatitet për investime në mbrojtje, fuqizimin e infrastrukturave strategjike… Shpenzimet për mbrojtjen janë investim për sigurinë kombëtare, stabilitetin e vendit dhe të ardhmen e Shqipërisë”, u shpreh Nufi.

Shqipëria është e përgatitur për raste destabiliteti siguroi ministri i mbrojtjes. Efekt Në lidhje me situatën e zjarreve, ai e cilësoi këtë sezon veror si ndër më të mirët për vënien në kontroll të flakëve; teksa po shtohen avionët zjarrfikës.

Gjatë komunikimit për mediat u bë me dije edhe se kompania shtetërore e prodhimit të armëve KAYO pritet të nisë prodhimin e dronëve ushtarakë në shtator.

Top Channel