Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” ka nisur një aksion për lirimin e pronave të saj të uzurpuara në zonën përreth liqenit të Ujmanit, në komunën e Zubin Potokut.

Sipas burimeve, aksioni ka nisur rreth orës 07:30 të mëngjesit, ndërsa Policia e Kosovës po asiston në zbatimin e tij. Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmoi se efektivët janë të angazhuar për të garantuar mbarëvajtjen e operacionit.

Veprimi vjen pasi “Ibër-Lepenc” u kishte dërguar më 3 korrik njoftim 11 personave që kanë ndërtuar shtëpi pushimi dhe objekte të tjera në parcelën e ndërmarrjes pranë Ujmanit.

Sipas dokumenteve të pronësisë, ndërmarrja është pronare ligjore e parcelës kadastrale me sipërfaqe 32.998 metra katrorë në Zonën Kadastrale të Veli Bregut, në komunën e Zubin Potokut.

Në njoftim, personave që kishin zënë pronën u ishte lënë afat 15-ditor për të liruar parcelën, për të hequr ndërtimet dhe sendet e vendosura në mënyrë të paligjshme dhe për ta kthyer pronën në gjendjen e mëparshme.

“Ibër-Lepenc” kishte paralajmëruar se, pas përfundimit të afatit, do të ndërmerrte veprimet ligjore për lirimin e pronës pa njoftim të mëtejshëm, ndërsa të gjitha kostot dhe pasojat ligjore do të mbaheshin nga personat që kishin uzurpuar parcelën.

Top Channel