I kërkuar nga autoritetet shqiptare për krime financiare/ Kapet i fshehur në një hotel biznesmeni italian 32-vjeçar, pritet ekstradimi nga Italia drejt vendit tonë

20/07/2026 22:58

Një shtetas italian, i kërkuar nga autoritetet shqiptare për krime financiare, është arrestuar nga policia italiane në një hotel në Fondi, në provincën e Latinës.

Sipas autoriteteve italiane, bëhet fjalë për një 32-vjeçar që banonte në zonën e Napolit, ndaj të cilit ishte lëshuar një kërkesë arrestimi me qëllim ekstradimi nga autoritetet gjyqësore shqiptare.

Operacioni u krye nga efektivët e Zyrës së Komisionerit të Sigurisë Publike në Fondi, gjatë kontrolleve rutinë të personave të regjistruar në strukturat akomoduese.

Prania e të kërkuarit u zbulua përmes sistemit të kontrollit të klientëve të hotelit. Pas sinjalizimit, informacioni iu përcoll Sallës Operative, e cila dërgoi menjëherë patrullat në vendngjarje.

Policia konfirmoi praninë e personit të kërkuar dhe e shoqëroi atë në komisariat për verifikimet e nevojshme.

Pas kontrolleve në bazat e të dhënave të Interpolit, autoritetet konfirmuan vlefshmërinë e masës së sigurisë të lëshuar nga drejtësia shqiptare.

Në vijim, 32-vjeçari u arrestua me qëllim procedurën e ekstradimit drejt Shqipërisë.

Sipas dosjes së autoriteteve shqiptare, burri dyshohet se është përfshirë në shmangie detyrimesh tatimore në vlerë rreth 150 mijë euro, të lidhura me aktivitetin e tij tregtar në Shqipëri.

Mësohet se ai kishte në pronësi një fabrikë këpucësh në vend, ndërsa ndaj tij ishte lëshuar një masë sigurie në kuadër të një procedimi penal ende në zhvillim.

Pas arrestimit, shtetasi italian u transferua në burgun e Latinës, ku do të qëndrojë në dispozicion të Gjykatës së Apelit kompetente për procedurat e ekstradimit.

Gjykata pritet të shqyrtojë masën brenda afateve ligjore dhe të vendosë mbi kërkesën për ekstradim të paraqitur nga autoritetet shqiptare.

Top Channel