Arrestohet një person në Lushnjë, pasi vodhi paratë dhe laptopin e një lokali, 36-vjeçari i vë flakën biznesit

19/07/2026 11:28

Një 36-vjeçar në Lushnjë është vënë në pranga, pasi kreu dy vjedhje njëra pas tjetrës, teksa tek e fundit.

Por autori në vjedhjen e dytë të kryer në një lokal, pasi mori paratë dhe laptopin, i vuri flakën biznesit.

“Në kuadër të operacionit “Again” u arrestua në flagrancë shtetasi M. G., 36 vjeç, banues në fshatin Plug, Lushnjë. Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, dyshohet se ka kryer dy vjedhje, më datat 16 dhe 17 korrik 2026, në fshatin Plug, Lushnjë. Gjatë vjedhjes së dytë, në një lokal, pasi ka marrë një shumë parash dhe një laptop, dyshohet se i ka vënë zjarrin objektit.

Konkretisht, më datë 16.07.2026, ai dyshohet se ka vjedhur 2 bateri automjetesh, ndërsa më datë 17.07.2026, në orët e para të mëngjesit, është futur në një lokal në fshatin Plug, Lushnjë, dhe pasi ka marrë një shumë parash dhe një laptop, i ka vënë zjarrin lokalit, duke shkaktuar dëme të shumta materiale”, njoftojnë blutë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel