Influencuesit e njohur të rrjeteve sociale, Andrew dhe Tristan Tate, janë arrestuar në Miami nga Marshallët amerikanë, pas një kërkese për ekstradim të paraqitur nga Mbretëria e Bashkuar në kuadër të një hetimi për vepra të rënda penale seksuale.
Sipas Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës në Mbretërinë e Bashkuar, vëllezërit akuzohen për abuzime të kryera ndaj disa grave në rajonin e Anglisë Lindore gjatë periudhës 2010–2017.
Andrew Tate përballet me 42 akuza, mes të cilave përdhunim, trafikim qeniesh njerëzore, sulm dhe posedim të materialeve të pahijshme që përfshijnë të mitur. Ndërkohë, Tristan Tate akuzohet për 17 vepra penale, përfshirë përdhunim, sulm seksual dhe trafikim qeniesh njerëzore.
Departamenti amerikan i Drejtësisë konfirmoi se arrestimi u krye në përputhje me procedurat dhe traktatet ndërkombëtare të ekstradimit. Sipas autoriteteve, dy vëllezërit do të dalin para një gjykate federale në Miami gjatë javës së ardhshme.
Avokati i tyre i ka hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se klientët e tij janë të pafajshëm. Ai argumentoi gjithashtu se ekziston një marrëveshje mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Rumanisë, sipas së cilës Londra nuk duhet të kërkojë ekstradimin e tyre derisa të përfundojnë procedurat gjyqësore që janë ende në zhvillim në Rumani.
Vëllezërit Tate janë prej kohësh nën hetim edhe nga autoritetet rumune, të cilat i akuzojnë për trafikim të grave dhe shfrytëzim seksual në Rumani, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Ata i kanë mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat.
Andrew Tate është një nga figurat më të debatueshme në rrjetet sociale, i njohur për deklaratat e tij mbi dominimin mashkullor dhe rolin e grave. Për shkak të përmbajtjes së publikuar, ai është pezulluar më parë nga disa prej platformave më të mëdha sociale.
Autoritetet britanike bëjnë të ditur se akuzat e fundit janë shtuar pas denoncimeve të reja nga viktima të tjera, ndërsa ndaj Andrew Tate është ngritur edhe një padi civile në Mbretërinë e Bashkuar nga katër gra që e akuzojnë për përdhunim.
Arrestimi i tyre në SHBA shënon një zhvillim të ri në një seri hetimesh ndërkombëtare që përfshijnë dy vëllezërit, ndërsa pritet që gjykata amerikane të shqyrtojë kërkesën e Mbretërisë së Bashkuar për ekstradimin e tyre.
Top Channel