Plagoset me çifte një person në Bulqizë, autori mendoi që qëlloi kafshët e egra që po i dëmtonin të mbjellat, por më pas zbuloi të vërtetën

19/07/2026 11:10

Një person ka mbetur i plagosur me armë gjahu mbrëmjen e kaluar në fshatin Vajkal, të Bashkisë Bulqizë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, në një zonë bujqësore të fshatit. Sipas informacioneve paraprake, autori ka qëlluar me armë gjahu tip çifte, pasi ka dyshuar se në tokën e mbjellë ndodheshin kafshë të egra që po dëmtonin të mbjellat.

Pas të shtënave, A. Çupi 51-vjeç ka konstatuar më pas se kishte plagosur 57-vjeçarin Naxhi Bici, i cili ndodhej duke vaditur në tokën e tij.

I plagosuri Naxhi Bici, është transportuar fillimisht me urgjencë në Spitalin e Bulqizës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Teksa tashmë po merr ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë kryer veprimet e para procedurale dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Policia po verifikon të gjitha dëshmitë dhe provat për të sqaruar dinamikën e incidentit, ndërsa ndaj autorit pritet të merren masat procedurale në përputhje me rezultatet e hetimit.

Top Channel