Lëkundje të forta në Turqinë lindore, Malatya goditet nga tërmeti me magnitudë 5 ballë
Ushtria amerikane ka ndërmarrë natën e shtatë radhazi të sulmeve ndaj objektivave në Iran, duke goditur infrastrukturë ushtarake, depo armësh dhe kapacitete detare. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se operacionet përfunduan gjatë natës, ndërsa u përdorën avionë luftarakë, dronë dhe anije luftarake.
Sipas deklaratës së CENTCOM, objektivat e sulmuara përfshinin qendra mbikëqyrjeje, infrastrukturë logjistike ushtarake, depo nëntokësore armësh dhe baza detare.
Nga ana tjetër, Irani pretendoi se iu përgjigj sulmeve duke goditur objektiva të lidhura me aleatët e SHBA-së në rajon. Kuvajti njoftoi se mbrojtja e tij ajrore neutralizoi raketa dhe dronë, ndërsa Jordania deklaroi se interceptoi 10 raketa iraniane që hynë në hapësirën e saj ajrore, pa shkaktuar dëme.
Teherani raportoi gjithashtu se dy anije cisternë nafte shpërthyen pranë Ngushticës së Hormuzit, duke akuzuar SHBA-në për përgjegjësi. Megjithatë, CENTCOM i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta.
Ndërkohë, trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit është reduktuar ndjeshëm për shkak të tensioneve. Kjo rrugë detare konsiderohet jetike, pasi përmes saj kalon rreth 20% e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
Mediat shtetërore iraniane raportuan shpërthime në qytetin Yazd, në ishullin Qeshm dhe në portin Bandar Abbas, pranë Ngushticës së Hormuzit. Irani pretendoi gjithashtu se ka goditur objekte ushtarake amerikane në Kuvajt, Bahrein, Jordani dhe, për herë të parë, në Siri. SHBA i mohoi këto pretendime.
Autoritetet kuvajtiane raportuan se sulmet me dronë shkaktuan plagosjen e disa ushtarëve dhe dëmtime në një termocentral dhe impiante të desalinimit të ujit. CBS News shkruan se edhe disa ushtarakë amerikanë u plagosën në sulmet ndaj dy bazave në Jordani gjatë javës së kaluar.
SHBA mohoi gjithashtu akuzat se kishte goditur infrastrukturë civile në Iran. Megjithatë, autoritetet në provincën Hormozgan thanë se nga sulmet humbën jetën shtatë persona.
Pamjet e verifikuara tregojnë dëmtime të konsiderueshme në Urën Gariveh, ndërsa fotografitë e publikuara gjatë ditës tregojnë një pjesë të rrugës të shembur dhe zona të mbuluara me rrënoja.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se operacionet amerikane kanë pasur në shënjestër vetëm objektiva ushtarake.
Përplasjet mes SHBA-së dhe Iranit vijojnë prej një jave, pas dështimit të bisedimeve për armëpushim, ndërsa tensionet në Gjirin Persik mbeten të larta.
Top Channel