Hetimet për atentatin ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati në Sarandë po përqendrohen te identifikimi i autorëve dhe itinerari i ndjekur pas sulmit.

Dy personat e dyshuar për atentatin, të cilët kanë qenë të maskuar dhe me skafandra, dyshohet se kanë lënë menjëherë zonën pas kryerjes së sulmit dhe janë drejtuar drejt pjesës bregdetare ku përfundon rruga “Mithat Hoxha”.

Hetuesit po verifikojnë pistën se autorët mund të jenë larguar me skaf, duke përdorur detin si rrugë shpëtimi pas atentatit. Kontrollet janë shtrirë në zonën përreth plazheve dhe përgjatë vijës bregdetare, ndërsa kërkimet për kapjen e tyre vijojnë.

Burime pranë grupit hetimor thanë për Top Channel se një nga pistat që po verifikohet është edhe një lidhje e mundshme me dhunimin e oficerit Mihal Velço, ngjarje e ndodhur një ditë më parë.

Rubati u qëllua me breshëri plumbash përpara biznesit të tij në Sarandë. Pas ngjarjes, ai u dërgua fillimisht në spitalin e qytetit, ku mori ndihmën e parë dhe iu dhanë transfuzione gjaku, ndërsa më pas u transportua për trajtim më të specializuar në spitalin e Janinës.

Top Channel