Ka zgjatur thuajse një muaj liria e Ilir Selmanit, i cili nga arresti shtëpiak rikthehet sërish në qeli me vendim të Gjykatës së Apelit të Posaçëm.

Shkalla e dytë e ridënoi sërish me të njëjtën masë prej 28 vitesh burg, për dyshimet se, si pjesë e grupit kriminal të Leonard Dukës, i riu u përfshi në vrasjen e ish-policit Santiago Malko, konsideruar si krahu i Ervis Martinajt.

Gjykimi ndaj Selmanajt nisi pasi Gjykata e Lartë prishi një vendim të mëparshëm ndaj tij, ku ai ishte dënuar me 28 vite burg, dhe e dërgoi për t’u shqyrtuar nga një trupë tjetër gjyqësore. Në qershor, Apeli konstatoi humbje të afateve të paraburgimit të të pandehurit dhe e la nën arrest shtëpie. Për këtë arsye, Ilir Selmanaj u paraqit në seancat e mëparshme i shoqëruar nga policia, ndërsa gjatë shpalljes së vendimit mungoi.

Më herët, për vrasjen e Santiago Malkos, Gjykata e Posaçme ka dënuar me 130 vite burgim në total edhe pesë të akuzuar të tjerë, mes tyre Leonard Duka, i konsideruar si shefi i klanit Duka, që mori 30 vjet heqje lirie, ndërsa vëllai i tij mori pafajësi. SPAK i konsideron dy vëllezërit si organizatorë të krimit.

Ndërsa të dyshuarit si anëtarë, Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku, Dritan Agaj dhe Oltjon Loga u dënuan me nga 25 vite burgosje. Të gjithë ata konsiderohen nga prokuroria anëtarë të grupit kriminal rival me grupin e Ervis Martinajt, i zhdukur prej gushtit të vitit 2022 dhe njëherazi në listën e të shumëkërkuarve të drejtësisë.

Top Channel