Shpërthen tubacioni 110-vjeçar i ujit në Los Angeles/ Përmbytet Sunset Strip, trafiku në kaos

17/07/2026 07:58

Një tubacion uji i ndërtuar më shumë se një shekull më parë ka shpërthyer gjatë natës në Los Angeles, duke shkaktuar përmbytje në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit dhe duke sjellë bllokime të mëdha të qarkullimit.

Ngjarja ndodhi në West Hollywood, ku një tubacion kryesor prej çeliku i vitit 1916 shpërtheu nën një rrugë të ngarkuar, duke lëshuar sasi të mëdha uji në sipërfaqe. Tubacioni është pjesë e sistemit kryesor që transporton ujë nga digat dhe rezervuarët drejt rrjetit të shpërndarjes në të gjithë Los Angeles.

Shpërthimi preku zonën e njohur si Sunset Strip, një nga arteriet më të rëndësishme të qytetit, e mbushur me restorante, bare dhe biznese. Rrjedha e ujit shkaktoi dëme në disa ambiente dhe detyroi mbylljen e përkohshme të disa rrugëve, duke krijuar probleme të mëdha me trafikun.

Restoranti i njohur Dialog Cafe njoftoi se u detyrua të mbyllej përkohësisht pasi pësoi “dëme të konsiderueshme” nga përmbytja. Administrata e tij deklaroi se ende nuk dihet se kur do të jetë e mundur rihapja.


Autoritetet lokale kanë nisur punën për stabilizimin e zonës, vlerësimin e dëmeve dhe riparimin e tubacionit. Shkaku i shpërthimit ende nuk është përcaktuar.

Sipas zyrtarëve, një nga faktorët që mund të ketë ndikuar është rritja e presionit të ujit gjatë orëve të natës, kur konsumi bie ndjeshëm. “Kur njerëzit flenë dhe përdorimi i ujit është më i ulët, presioni në tubacione mund të rritet dhe shpeshherë atëherë ndodhin këto çarje”, shpjeguan autoritetet.

Kompania e ujësjellësit kishte planifikuar zëvendësimin e këtij segmenti të tubacionit kryesor Sunset në vitin 2031. Sipas të dhënave të Departamentit të Ujit dhe Energjisë në Los Angeles, në vitin 2019 rreth 29% e tubacioneve të qytetit ishin më të vjetra se 80 vite dhe po i afroheshin fundit të jetëgjatësisë së tyre tipike prej rreth 100 vjetësh.

Autoritetet u kërkuan banorëve dhe drejtuesve të automjeteve durim, ndërsa ekipet vijojnë punën për riparimin e dëmit dhe rikthimin e situatës në normalitet.

Top Channel