Mjeti lundrues me 11 emigrantë të paligjshëm rrezikoi mbytjen në brigjet e Vlorës, shpëtohen nga Policia Kufitare

17/07/2026 10:58

Rreth orëve të para të mëngjesit të sotëm, Policia Kufitare mori njoftim se një mjet lundrues me 11 persona në bord ndodhej në rrezik, rreth tetë milje larg grykëderdhjes së lumit Vjosë.

Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë Kufitare u nisën drejt zonës me dy mjete lundruese tip gomone dhe arritën të lokalizojnë mjetin, duke bërë të mundur shpëtimin e të gjithë personave që ndodheshin në bord.

Sipas të dhënave paraprake, emigrantët janë shtetas të pesë vendeve të ndryshme të Afrikës dhe Azisë. Ata janë transportuar në tokë dhe ndodhen në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku po kryhen procedurat e nevojshme.

Ende nuk është përcaktuar destinacioni i tyre apo nëse po tentonin të kalonin drejt Italisë me mjetin e vogël lundrues. Kjo pritet të sqarohet pas marrjes në pyetje të tyre dhe përfundimit të veprimeve hetimore nga autoritetet kompetente.

1-Haiti
1-Afganistan
1-Liberia
3-Pakistan
5-Bangladesh

Pas operacionit, 11 emigrantët e shpëtuar janë sjellë nga forcat e Policisë Kufitare. Menjëherë pas mbërritjes, atyre u është ofruar ujë dhe ushqim, pasi, sipas dëshmive të tyre, kishin kaluar një kohë të gjatë në det.

Sipas punonjësve të Policisë Kufitare, jeta e tyre ka qenë në rrezik serioz. Ata udhëtonin me një mjet lundrues rreth 2.5 metra të gjatë, i përshtatshëm vetëm për një ose dy persona, ndërsa në të ndodheshin plot 11 persona.

Nëse ndërhyrja e Policisë Kufitare nuk do të ishte bërë në kohë, rreziku për një tragjedi do të kishte qenë shumë i madh, pasi deti kishte nisur të egërsohej dhe kushtet e lundrimit po përkeqësoheshin me shpejtësi. Emigrantët do të shoqërohen në komisariat, ndërsa ata janë shprehur se synimi i tyre ishte të shkonin në Itali.

 

Njoftimi

Rrezikuan të mbyteshin, pasi lëviznin me një gomone të vogël dhe me sasi të pamjaftueshme karburanti, shërbimet e DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Rojen Bregdetare dhe Guardia di Finanza (GDF), u shkuan në ndihmë 11 emigrantëve nga vende të ndryshme.

Të gjithë emigrantët u nxorën në breg, në gjendje të mirë shëndetësore.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, menjëherë pas marrjes së kërkesës për ndihmë, përmes një telefonate nga një numër grek, rreth orës 07:30 të ditës së sotme, se disa emigrantë rrezikonin të mbyteshin në det, në veri të ishullit të Sazanit, u nisën drejt zonës së sinjalizuar.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe koordinimit të shërbimeve të Policisë Kufitare, Rojes Bregdetare dhe Guardia di Finanza (GDF), u bë i mundur lokalizimi i gomones në hapësirën detare dhe nxjerrja në breg, në gjendje të mirë shëndetësore, e 11 emigrantëve nga vende të ndryshme.

Nga veprimet e deritanishme hetimore rezulton se mjeti lundrues ishte një gomone me përmasa të vogla (rreth 3 metra me motor 25 KF), me sasi të vogël dhe të pamjaftueshme karburanti në serbator.

Gjithashtu, nga monitorimi i hapësirës detare me radarë rezulton se gjatë 48 orëve të fundit nuk ka pasur asnjë tentativë të mjeteve lundruese për të lëvizur drejt ujërave ndërkombëtare.

Grupi i posaçëm hetimor, i ngritur për këtë rast, vijon punën nën drejtimin e Prokurorisë, për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin me prova ligjore të këtij rasti.

Top Channel