Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, deklaroi se një rekrut rus që dërgohet në vijën e parë të frontit në Ukrainë ka një jetëgjatësi mesatare prej vetëm 20 deri në 30 minutash.
Gjatë një samiti për mbrojtjen në Pensilvani, Ratcliffe tha se ky vlerësim bazohet në informacionet e inteligjencës amerikane dhe përputhet me raportimet e publikuara nga burime të hapura.
Sipas tij, shkaku kryesor është përdorimi gjithnjë e më i madh i dronëve ukrainas të pajisur me inteligjencë artificiale, të cilët i cilësoi si “makina vrasëse” me kosto të ulët dhe efikasitet të lartë në fushën e betejës.
“Jetëgjatësia mesatare e një rekruti rus që mbërrin tani në fushën e betejës në Ukrainë vlerësohet të jetë midis 20 dhe 30 minutash”, u shpreh Ratcliffe.
Ndërkohë, sipas autoriteteve ukrainase, Rusia ka humbur rreth 1.4 milionë ushtarë që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë. Kievi pretendon gjithashtu se mbi 1,000 ushtarë rusë vriten ose plagosen çdo ditë, ndërsa në muajin maj Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës deklaroi se rreth 200 ushtarë rusë humbnin jetën për çdo kilometër territor të fituar nga forcat e Moskës.
Top Channel