Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian, Riho Terras, e dënoi ashpër deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunovic, duke e cilësuar si të turpshme dhe të dëmshme për besimin te vetë përpjekjet e BE-së që Kosova e Serbisë të shkojnë deri një marrëveshjeje finale mes tyre.

Kjo e shkatërron seriozisht besimin te dialogu i ndërmjetësuar nga blloku europian”, ka shkruar Terras duke cituar ministren që u shpreh se: “Po të isha në vend të Sllobodan Milloshevicit në vitin 1998, do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën.” Ndërkohë, përpos shpalljes non grata në Kosovë, Paunoviç përballet tashmë edhe me një padi për nxitje të përçarjes në Kosovë, si dhe kërkesë për shkarkim në parlamentin e Serbisë.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, shkroi në Facebook se i ka kërkuar kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës t’i ndërmarrë “të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente”. Ndërkohë, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, njoftoi të enjten se 53 deputetë opozitarë ia kanë dorëzuar një kërkesë kryeministrit serb, Gjuro Macut, për shkarkimin e Paunovicit. Ata i kërkuan kryeministrit Macut që, “pa asnjë vonesë”, t’i propozojë Kuvendit të Serbisë shkarkimin e ministres Paunovic, por nuk është e qartë nëse ai do ta hedhë vërtet një hap të tillë.

Vëzhgues nga Kosova dhe Serbia thonë se deklarata e ministres  është pjesë e një modeli politik të Begradit ndaj Kosovës, duke kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të mos mjaftohet vetëm me reagime, por të ndërmarrë veprime konkrete ndaj Serbisë.

Top Channel