Deklarata e ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç se po të ishte në vend të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”, shkaktoi reagime të forta në Kosovë, Serbi dhe Bashkimin Evropian.

Autoritetet e Kosovës menjëherë e shpallën persona non grata, duke ia ndaluar përgjithmonë hyrjen në vend. Ndërkohë, pohimet e ministres nuk i mbështesin as pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë. Disa prej tyre folën për REL dhe e cilësuan deklaratën si të papërgjegjshme dhe të rrezikshme, duke vlerësuar se ajo nxit urrejtje ndëretnike dhe rëndon pozitën e serbëve që jetojnë në Kosovë.

Miodrag Milliqeviç nga organizata Aktiv tha se deklarata dëmton drejtpërdrejt komunitetin serb, ndërsa Tatjana Llazareviq, kryeredaktore e portalit KoSSev, e quajti atë një shembull të papërgjegjshmërisë politike dhe historike. Edhe qytetarë serbë nga Mitrovica e Veriut, Graçanica dhe Shtërpca shprehën shqetësim, duke theksuar se deklarata mund të keqpërdoret dhe se pasojat do t’i bartin serbët që jetojnë në Kosovë.

Një prej tyre tha se është “tejet destruktive” që një zyrtare e lartë shtetërore të flasë për spastrim etnik, sidomos duke pasur parasysh rrethanat në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë. “Ajo që më frikëson është i ashtuquajturi ‘efekti flutur’, pra pasojat negative që kjo deklaratë, pothuajse me siguri – do t’i shkaktojë”, ishte komenti i saj.

Një grup organizatash joqeveritare serbe po ashtu e dënuan gjuhën e ministres si gjuhë urrejtjeje dhe paralajmëruan se narrativa të tilla vetëm sa thellojnë mosbesimin mes komuniteteve.

 

Top Channel