Kuvendi miraton projektligjet për bujqësinë/ Braçe voton kundër, opozita bojkoton seancën Zemërthyer, por edhe në garë pa dëshirë. Një ditë pas votimit të ekipit të ri drejtues të partisë, Sali Berisha u shfaq për të ngushëlluar ish-bashkëpunëtorët që mbetën jashtë kupolës drejtuese. Një ndjesë kishte për Lorenc Lukën, që e pa emrin e tij në fletën e votimit pa dëshirë.
“Kam një ndjesë publike për zotin Lorenc Luka, i cili ka dërguar një mesazh me të cilin ai informon se nuk dëshiron të kandidojë, por mesazhi është lexuar me vonesë. Dua të falënderoj me mirënjohje të gjithë ish-bashkëpunëtorët e mi, Oerd Bylykbashi, Luçiano Boçi, Ivi Kaso, Edi Paloka, për kontributin e tyre të çmuar“, u shpreh Berisha.
Entuziast u shfaq për fituesit. Flamur Noka do e ketë sërish krah të djathtë, pasi rikonfirmoi karrigen e sekretarit të përgjithshëm në garën me Saimir Korreshin. Organizimin e partisë e mori në dorë Klevis Balliu, ndërsa skuadrës blu të nënkryetarëve iu bashkuan dy emra të rinj, Nikola Kedhi dhe Erisa Bajaziti. Gjekmarkaj dhe Bardhi nuk u votuan, ndërsa Belind Këlliçi mundi Luçiano Boçin në garën për nënkryetar.
“Ka një ripërtëritje të madhe me personalitete ndër më të shquarat të fushave të tyre në drejtimin e PD. Kjo dëshmon gjithashtu votën e lirë si mekanizëm themelor të funksionimit të kësaj partie“, tha kreu i selisë blu.
Ka vendosur të mos shkelë në Parlament deri në fund të sesionit, por lajmet prej andej i vijnë. Konferenca e Kryetarëve i dha oksigjen deri më 30 nëntor Komisionit të Reformës Zgjedhore, me dakordësi edhe të demokratëve, por paqja për reformën territoriale është prishur. PS do të ecë e vetme dhe më 23 korrik do të paraqesë raportin e saj për hartën e re territoriale.
Berisha dënoi qëndrimin e qeverisë shqiptare lidhur me deklaratat e ministres serbe për Kosovën, duke ripërsëritur kërkesën për shpalljen e saj non grata.
Top Channel