Zgjedhja e lidershipit të PD, Murrizi kërkesë Berishës: Nxirr emrat e kandidatëve, s’ka ndonjë sekret që të lexohen gjatë mbledhjes së Këshillit

14/07/2026 11:25

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka reaguar për mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, ku pritet të zgjidhen sekretari i përgjithshëm, nënkryetarët dhe sekretariatet e partisë.

Në një postim të gjatë, Murrizi i kërkon kryetarit të PD-së, Sali Berisha, që emrat e kandidatëve të bëhen publikë përpara mbledhjes, duke argumentuar se anëtarët e Këshillit Kombëtar duhet të kenë kohë të njihen me kandidaturat dhe të votojnë të informuar.

Sipas Murrizit, nuk ka arsye që emrat të lexohen vetëm gjatë mbledhjes, ndërsa ai ngre shqetësime edhe për mënyrën e funksionimit të strukturave drejtuese dhe nevojën për një debat më të gjerë politik brenda PD-së.

“Partia Demokratike ka thirrur të mërkurën, datë 15 korrik, mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të zgjedhur sekretarin e përgjithshëm, nënkryetarët dhe sekretariatet.

Sipas statutit, kandidatët i propozon kryetari i partisë ose 5% e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

Normalisht, Berisha duhet t’i propozojë qysh sot ose maksimalja nesër kandidatët, që secili anëtar i Këshillit Kombëtar të njihet me kandidaturat përpara se të shkojë për të votuar.

Po ashtu, secili kandidat të ketë të drejtë të lobojë e të bëjë fushatë për vota minimalisht 24 orë, se nuk di çfarë “sekreti” ka që duhet të lexohen emrat në mbledhje, siç ndodhi me kandidatët për anëtarë kryesie, ku nga 60 të propozuar shumica e Këshillit Kombëtar nuk njihte më shumë se 10-15 emra.

Madje, e them me bindje që as vetë Berisha nuk ka njohur më shumë se 20 veta, të tjerët ia kanë dhënë enukët që e rrethojnë.

Flas për anëtarë të Këshillit Kombëtar që nuk urdhërohen me SMS në grup, se për ata që marrin porosi apo orientim vote me WhatsApp nuk besoj që ka problem të dinë se kush është kandidat apo kë të votojnë, se ua japin porosi “padrinot” që i mbajnë në “tiro”.

Më shumë sesa procesi i zgjedhjeve, Këshilli Kombëtar duhet të flasë e të diskutojë për situatën politike në vend dhe situatën e gjendjen reale të PD-së, se ka qysh në janar 2025 që kurrë nuk është diskutuar për jo pak probleme që ka vetë PD-ja, krahas të gjitha problemeve që ka Shqipëria nga pseudoqeverisja me mercenarë e shërbëtorë të kujtdo të huaji që ka interesa ekonomike në Shqipëri.

Këshilli Kombëtar i PD-së duhet të diskutojë e të mbajë një qëndrim të hapur, publik e politik për kërkesat e PROTESTËS, që në themel të tyre kanë shkuljen nga rrënjët të sistemit të qelbur e të kalbur politik të instaluar në Shqipëri nga pazari i pistë i prillit të vitit 2008.

Nëse hesht për këtë problem dhe bën sikur është dakord me PROTESTËN, kjo është një hipokrizi që mendojmë se po ua hedhim DEMOKRATËVE dhe QYTETARËVE, por në fakt po ia fusim prej 5 palë zgjedhjesh (2009, 2013, 2017, 2021, 2025) vetëm vetes.

Kur them po ia fusim vetes, po them që po ua fusim DEMOKRATËVE me shpirt, duke i lënë prej 16 vitesh në opozitë e nën reprezaljen e një pushteti bastard, se mos më keqkuptojnë disa që nuk lënë gjë pa bërë për të ruajtur një mandat të qelbur deputeti e që mund të “kënaqen” shumë nga e futmja.

Kjo kategori, në fakt, nuk është në opozitë, por në komoditetin e një pushteti hibrid dhe kjo kategori nuk duhet të jetë kurrë më pjesë e kupolës drejtuese të PD-së, sepse janë të “ngopur”, duke u tejngarkuar me disa funksione si deputetë pa u votuar as në primare, as nga qytetarët, se janë në listën e mbyllur; anëtarë kryesie pa u votuar, se hyjnë për pozicionet që kanë në Kuvend dhe grup parlamentar; drejtues politikë në qarqe pa u votuar nga askush, por të emëruar me lobim; drejtues komisionesh në Parlament me ngritje dore të PS-së dhe PD-së.

E çfarë nevoje ka PD-ja apo një opozitë normale funksionale për të mbajtur në kupolën e saj “drejtuese” njerëz të pavotuar ose njerëz që kanë FRIKË VOTËN si djalli temjanin?

Kur kam thënë se kjo PROTESTË “kafshon” më shumë opozitën sesa pushtetin, kam shprehur një shqetësim që vemjet politike që janë katapultuar pa votë ndoshta nuk e shohin ose e shohin, por nuk e ndjejnë sa kohë që ruajnë një mandat të qelbur pa kokërr vote dhe pa asnjë detyrim moral, politik dhe njerëzor ndaj QYTETARËVE OPOZITARË, sepse në fushatën e 25 majit nuk takuan askënd.

Dhe këtë “risinë” e moshës mesatare, Doktor, që Këshilli Kombëtar ka 30 apo 35% nën moshën 30 vjeç, na e kurse si “arritje”, se MOSHA është kriter “suksesi” vetëm në SPORT dhe shtëpitë publike, por kurrë në POLITIKË.

Politika ka nevojë për INDIVIDË me karakter, me moral dhe jo hajdutë apo pazarxhinj me pushtetin, për njerëz që nuk tremben nga VOTA dhe që kanë impakt pozitiv tek VOTUESIT, që marrin VOTA, se e vetmja “njësi matëse” në POLITIKË është sa VOTA merr, pra sa të VOTOJNË QYTETARËT, jo çfarë datëlindjeje ke.

Politika ka nevojë për njerëz me STOF POLITIK dhe njerëz që nuk ua kthejnë kurrë shpinën votuesve pasi rehatohen në Parlament.

Mund të mbushësh kryesinë, sekretariatet apo Këshillin Kombëtar sa të duash me anonimë politikë, por kjo nuk është kurrë ripërtëritje, sepse në politikë ripërtëritja vjen vetëm nga VOTA E QYTETARËVE dhe me një GARË reale e të hapur, pa SMS, WhatsApp dhe pa orientim për të pasur lëpirës apo servilë që nuk i hyjnë në punë as dreqit dhe që nuk i njeh askush në hyrje, pallat, qytet apo fshat.

POLITIKA ËSHTË PËRFAQËSIM, KURAJO, NDERSHMËRI DHE DINJITET, JO SERVILIZËM, LËPIRJE APO NËNSHTRIM.

Nëse duam që RIPËRTËRITJA të mos na kthehet në RIPËRTYPJE, duhet që PD-ja të shohë realitetin në SY dhe të shkulë nga vetja “parazitët” politikë vegjetues, duke luftuar fort që të shkulë nga rrënjët edhe SISTEMIN BASTARD POLITIK TË PRILLIT 2008, që ka shërbyer si moçal për të rritur minj politikë.

NDRYSHE RIPËRTËRITJA KTHEHET NË RIPËRTYPJE DHE NGA RIPËRTYPJA VJEN “VJELLJA” QYTETARE.

Vetëm mirë do t’i bëhet PD-së po të mos ketë më në kryesinë e vogël këta që janë aty prej 2021 dhe që kanë bërë disa herë “rafishatat” politike sipas interesave të momentit, e që në 5 vite kanë dëshmuar dështim, sidomos si drejtues politikë qarqesh në fushatën e 11 majit 2025.

Vetëm mirë do t’i bëhet PD-së që të mos promovojë më në poste drejtuese dallkaukë e debilë funksionalë politikë vetëm e vetëm se presin gjithë ditën në oborrin e PD-së me fotografi nga pas, që t’i japin dorën Berishës kur vjen apo ikën nga zyra.

KOHA E KËLLIRAVE DUHET TË MARRË FUND OSE NDRYSHE DO FUNDOSEMI TË GJITHË PËR HIR TË NJË GRUSHTI ENUKËSH.

Nxirri emrat, Doktor, para mbledhjes, se nuk t’i “vret” kush. Rri pa merak, vetëm po i “vrau” LOPA, se tren nuk ka më.

Mund të kesh funksione sa të duash, por në POLITIKË i vetmi funksion që u shërben QYTETARËVE është sa VOTA merr.

Të tjerat, si mosha, seksi, gjatësia e trupit, ngjyra e flokëve apo pëlqimi që kanë të huajt për dikë, janë dokrra që në 36 vite u ka dalë boja dhe që nuk i ha më askush.

Ndjesë kush mërzitet nga ky postim, por nuk ma ndjen fare, por fare ama, për këdo që mërzitet, se nuk bëj kurrë “pazar” me LIRINË time dhe kam paguar e do të paguaj me qejf KOSTON E LIRISË TIME”, shkruan Murrizi.

Top Channel