Sot Konferenca e IX Ndërqeveritare, Ferit Hoxha: Pasqyrë e punës së palodhur dhe angazhimit institucional

14/07/2026 11:59

Shqipëria hyn sot në Konferencën e IX Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, ku pritet mbyllja e përkohshme e tre kapitujve të parë negociues.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, përmes një postimi në rrjetin social X, e ka cilësuar këtë moment si rezultat të punës institucionale dhe angazhimit të vazhdueshëm në procesin e integrimit evropian.

Hoxha ka renditur disa data kyçe të rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së, duke theksuar se më 14 korrik 2026 vendi hyn në një fazë të re të negociatave, pas mbylljes së përkohshme të kapitujve 25 për kërkimin shkencor, 26 për arsimin dhe kulturën, si dhe 30 për marrëdhëniet me jashtë.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, postim në X:

Disa data kyçe që tregojnë historinë mbresëlënëse të një udhëtimi të jashtëzakonshëm:

14 tetor 2024 – Shqipëria nuk kishte hapur asnjë kapitull negociues.

17 nëntor 2025 – Shqipëria kishte hapur të 33 kapitujt negociues.

26 maj 2026 – Shqipëria u bë vendi i parë negociues që arriti #IBAR sipas metodologjisë së re.

14 korrik 2026 – Shqipëria hyn në fazën përfundimtare të negociatave duke mbyllur përkohësisht tre kapitujt e parë:

Kapitulli 25 – Kërkimi Shkencor
Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura
Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me Jashtë

Ato që duken si data në një afat kohor janë në fakt momente historike që pasqyrojnë një transformim të jashtëzakonshëm, rezultat i punës së palodhur, angazhimit të vërtetë dhe të vazhdueshëm institucional, vendosmërisë së fortë dhe vullnetit të palëkundur politik.

Kur ambicia përputhet me rezultatin, progresi bëhet i mundur, i dukshëm, i matshëm, real.

“Muri i zgjerimit” po ndryshon përsëri.

Top Channel