Shpërthim me tritol gjatë natës në Krujë/ Lënda plasëse i vendoset një makine, shkaktohen vetëm dëme materiale

08/07/2026 11:08

Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar gjatë orëve të para të mëngjesit në qytetin e Krujës.

Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 02:30, një sasi tritoli i është vendosur një automjeti tip “Fiat”, në pronësi të shtetasit Dervish Guni.

Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale në automjet, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Burime bëjnë me dije se policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, të cilat kanë fiksuar një person të maskuar, i dyshuar si autor i vendosjes së lëndës plasëse.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për konflikte pronësie.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit, ndërsa po hetohen edhe motivet e këtij shpërthimi.

Top Channel