Operacioni kundër tjetërsimit të pronave, arrestohet nga policia zëvendësdrejtori i Kadastrës në Dibër

08/07/2026 13:36

Daniel Gjura, zëvendësdrejtori i Kadastrës Dibër është arrestuar mbrëmjen e djeshme nga policia.

Arrestimi i tij vjen pak ditë pasi policia e Dibrës goditi një skemë të dyshuar kriminale për tjetërsimin e paligjshëm të pronave në Dibër.

Daniel Gjura ishte shpallur në kërkim nga policia pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.

Më 17 qershor, pas një hetimi 7-mujor, Policia ka ekzekutuar 14 masa sigurie ndaj punonjësve dhe ish-punonjësve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe ndaj disa personave të dyshuar se kanë përfituar nga falsifikimi i dokumenteve.

Nga hetimet dyshohet se shtetasit me detyra aktuale dhe të mëparshme në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Dibër, dhe noterja, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë kryer veprime të tjera administrative të kundërligjshme, me qëllim tjetërsimin e pronave të paluajtshme, në favor të shtetasit T. D. dhe familjarëve të tij.

Daniel Gjura më herët ka mbajtur edhe postin e drejtorit, si dhe ka qenë kandidat për deputet nën siglën e Partisë Socialiste  në zgjedhjet e vitit 2025.

Top Channel