Goditje për njeriun më të pasur të Francës, Arnault urdhërohet të paguajë miliona euro taksa

06/07/2026 17:32

Kreu i gjigantit të mallrave luksoze LVMH, Bernard Arnault dhe bashkëshortja e tij janë urdhëruar të paguajnë pothuajse 22.5 milionë euro taksa shtesë, pas një vendimi të Gjykatës Administrative të Apelit të Parisit.

Sipas vendimit, të cituar nga Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP), çifti duhet të paguajë 12.96 milionë euro për vitin 2010. Kjo shumë përfshin detyrimet tatimore, kontributet shoqërore, penalitetet dhe interesat për vonesat në pagesë.

Përveç kësaj, gjykata ka vendosur që Arnault të paguajë edhe 9.5 milionë euro të tjera në kuadër të taksës franceze të solidaritetit, që lidhet me periudhën 2012–2015. Një zëdhënës i Bernard Arnault deklaroi për AFP se vendimi do të ankimohet në Këshillin e Shtetit, duke lënë të kuptohet se beteja ligjore do të vijojë.

Në qendër të çështjes ndodhet struktura aksionare e kompanisë LVMH Moët Hennessy Louis Vuitton SE, e cila ka qenë objekt i një hetimi të autoriteteve tatimore franceze. Sipas medias franceze L’Informé, gjatë verifikimeve autoritetet franceze kërkuan ndihmë edhe nga Luksemburgu dhe Bahamas për të shqyrtuar strukturën financiare të kompanisë.

Bernard Arnault konsiderohet njeriu më i pasur në Francë dhe Evropë. Sipas renditjes së Bloomberg, ai mban aktualisht vendin e tetë mes miliarderëve më të pasur në botë, me një pasuri të vlerësuar rreth 165 miliardë dollarë.

Top Channel