Dosja “Partizani”, zbardhen diskutimet në sallë/ Ish-ministri Oketa: Klubi nuk kishte interes për Ministrinë e Mbrojtjes

06/07/2026 10:50

Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, po dëshmon në Gjykatën e Posaçme, në kuadër të procesit gjyqësor për dosjen “Partizani”.

I thirrur si dëshmitar nga SPAK, Oketa iu përgjigj pyetjeve të prokurorëve lidhur me rolin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe statusin e pronës ku ndodhej ish-Klubi Sportiv “Partizani”.

Gjatë dëshmisë së tij, të siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, Oketa deklaroi se, sipas kujtesës së tij, Klubi “Partizani” nuk kishte asnjë interes për Ministrinë e Mbrojtjes dhe administrohej nga persona privatë. Ai tha se nuk kujton të jetë diskutuar ndonjëherë në ministri si një çështje me rëndësi të veçantë.

Diskutimet në sallë:

SPAK: Kur ke qenë ministër i Mbrojtjes dhe çfarë funksionesh ke pasur?

Oketa: Kam qenë zëvendëskryeministër, më pas mora detyrën e ministrit të Mbrojtjes. 2009-2012 kam qenë deputet i Kuvendit.

SPAK: Çfarë ishte Klubi Partizani në raport me Ministrinë e Mbrojtjes?

Oketa: Në kujtesën time, Klubi Partizani ka pasur zero interes për Ministrinë e Mbrojtjes. S’më kujtohet të kishte interes të veçantë. Në dijeninë time administrohej nga persona privatë. Pothuajse në asnjë nga diskutimet apo mbledhjet nuk mbaj mend të ketë pasur një zë që ky klub të zinte një vend të veçantë në Ministrinë e Mbrojtjes.

SPAK: Në kohën kur ishe ministër i Mbrojtjes ke nisur zbatimin e VKM-së së qeverisë për klubin.

Oketa: Kam qenë ministër i Mbrojtjes dhe jo ministër i Sportit. Nuk kishte vend të veçantë për ne, sepse nuk ishte një vend që mund të përdorej për Ministrinë e Mbrojtjes. Klubi Partizani, në kujtesën time, ka qenë një klub privat. Unë as e kam konsideruar fare. Një institucion kulturor nuk e bën godina, por puna.

SPAK: Jeni interesuar për pronën, duke qenë se ishte në varësinë tuaj?

Oketa: Për herë të parë në tavolinën time kjo çështje më ka ardhur në zyrë. Praktika ishte që ajo pronë ishte e pronarëve. Praktika ishte e plotë dhe ata kishin bërë edhe pagesën. Nuk kisha asnjë arsye pse ta mbaja atë pronë në varësi.

SPAK: Kush e kishte në inventarizim?

Oketa: Emri i saktë s’më kujtohet, i drejtorisë, por është një drejtori që ekziston edhe sot e kësaj dite.

Oketa: Edhe sot, nëse shikoni faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, keni një sektor ku flitet për pronat dhe ne ende dhe sot nuk kemi një inventar të pronës. Kishte ushtarakë që e kundërshtonin, meqë kishte ardhur përgjigjja nga Këshilli i Ministrave, atëherë unë u kam dhënë direktivën që të ndiqen të gjitha procedurat ligjore në fuqi, për sa kohë pronarët me dokumenta të shtetit lidhur me këtë çështje. E theksoj edhe një herë: nuk ka pasur interes për Ministrinë e Mbrojtjes.

SPAK: A keni pasur përfaqësues të Ministrisë kur është bërë vlerësimi?

Oketa: Unë nuk kujtoj të kem autorizuar ndonjë ushtarak në lidhje me këtë çështje. Kanë kaluar 18 vjet nga ajo kohë, por nëse keni ndonjë dokument me firmën time, unë jam i gatshëm t’i dal për zot.

Ministria e Mbrojtjes ka pasur 12 mijë veta personel, civil dhe ushtarak. Nëse ju pretendoni që ministri duhet të kujdeset për çdo gjë, atëherë stafi duhet të ikë në shtëpi. Futem tek ato politika që kam firmosur shumë delegime kompetencash, mund t’i shikoni tek dokumentet.

SPAK: Urdhrin që keni firmosur që ta dorëzonte komanda mbështetëse, jeni njohur me ndonjë dokument?

Oketa: Çdo person që ka pasur për detyrë për të ndjekur këtë praktikë ka firmosur dhe në fund ka ardhur tek unë. Pas vitit 1990 shumë prona të Ministrisë së Mbrojtjes dolën të tepërta dhe shumë prona dalin nga plani i përhapjes sepse nuk i duhen ushtrisë. Edhe në këtë rast është ndjekur e njëjta praktikë. Nuk është e vetmja pronë që është kthyer, sepse kur prona del nga plani i përhapjes, shteti e përdor për interesa të tij nëse nuk ka pronarë.

Top Channel