Tërmetet shkatërruese në Venezuelë, ekspertët: U regjistrua një fenomen i paprecedentë Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të hënë Programin Kombëtar për Përgatitjen e Biznesit për Integrimin në Bashkimin Europian, një nismë që synon të ndihmojë sipërmarrjet shqiptare të përshtaten me standardet e Tregut Unik Europian.
Gjatë një takimi me përfaqësues të komunitetit të biznesit, Rama deklaroi se qeveria do të mbështesë financiarisht çdo sipërmarrje që paraqet një plan të besueshëm, duke theksuar se nuk do të ketë kufizime fondesh për projektet serioze.
“Nuk do të ndalemi te një kuotë financimi. Nuk do të ketë asnjë sipërmarrje që do të paraqesë një plan të besueshëm që nuk do të mbështetet financiarisht”, u shpreh kryeministri.
Si pjesë e programit u prezantua edhe krijimi i “Team Albania”, një strukturë e re që do të shërbejë si urë lidhëse mes institucioneve dhe biznesit, duke ofruar informacion, asistencë dhe mbështetje për përmbushjen e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Europian.
Sipas Ramës, objektivi është që të informohen rreth 48 mijë ndërmarrje në të gjithë vendin, të krijohet një platformë e dedikuar për biznesin, të organizohen qindra trajnime dhe të rritet certifikimi sipas standardeve të BE-së, me synim rritjen e konkurrueshmërisë së sipërmarrjeve shqiptare.
Në takim ishte e pranishme edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila prezantoi masat që janë ndërmarrë për mbështetjen e biznesit. Ajo bëri të ditur se janë vënë në dispozicion 16.5 milionë euro për zhvillimin e ekosistemit të startup-eve, ndërsa po zgjerohet edhe aksesi në financim për sipërmarrjet.
Ibrahimaj njoftoi gjithashtu nisjen e një programi të ri me një fond prej 250 milionë eurosh, të vënë në dispozicion nga Banka e Shqipërisë dhe të mbështetur me garanci sovrane nga qeveria, i cili do t’u mundësojë bizneseve financim me kosto më të ulët dhe kushte më të favorshme për kolateral.
“Programi mbështetet mbi katër shtylla kryesore. Dy shtyllat e para lidhen ngushtë me njëra-tjetrën dhe kanë të bëjnë me vlerësimin e gatishmërisë së bizneseve për integrimin në Tregun Unik Europian, si edhe me informimin dhe ndërgjegjësimin e tyre mbi detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni i Bashkimit Europian. Shtylla e tretë fokusohet në zhvillimin e aftësive profesionale dhe menaxheriale që bizneset kanë nevojë për të përballuar me sukses këtë proces transformimi, ndërsa shtylla e katërt synon rritjen e konkurrueshmërisë së tyre përmes mbështetjes financiare, automatizimit të proceseve, përmbushjes së standardeve dhe certifikimeve, si edhe përshpejtimit të transformimit digjital dhe atij të gjelbër“, deklaroi ministrja Ibrahimaj.
Në përfundim, Rama theksoi se integrimi në Bashkimin Europian do t’u japë kompanive shqiptare mundësinë të operojnë në një treg shumë më të madh dhe se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të krijojë një faqe të dedikuar për programin, ku bizneset do të informohen për të gjitha mundësitë dhe mbështetjen që ofron kjo nismë.
Top Channel