Evropa po digjet nga i nxehti, shkencëtarët japin alarmin: Temperaturat do të bëhen edhe më ekstreme

05/07/2026 10:20

Valët ekstreme të të nxehtit që goditën Evropën dhe Mbretërinë e Bashkuar gjatë majit dhe qershorit janë një tjetër sinjal i qartë i ndikimit të ndryshimeve klimatike, paralajmërojnë shkencëtarët.

Sipas analizës së BBC, temperaturat rekord të këtij viti tregojnë se kontinenti po hyn në një periudhë me vera gjithnjë e më të nxehta.

Gjatë qershorit, shumë shtete evropiane thyen rekordet e temperaturave për këtë muaj, ndërsa në disa vende u regjistruan mbi 40 gradë Celsius. Në Mbretërinë e Bashkuar temperatura arriti në 37.7°C, duke thyer rekorde që kishin qëndruar për dekada.

Ekspertët thonë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti i njeriut kanë bërë që valët e të nxehtit të jenë më të shpeshta, më intensive dhe të zgjasin më shumë. Përveç temperaturave të larta gjatë ditës, edhe netët po bëhen më të ngrohta, duke e vështirësuar rikuperimin e organizmit nga nxehtësia.

Sipas shkencëtarëve, Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë. Shkrirja e akullit dhe borës, ulja e ndotjes me grimca në atmosferë dhe rritja e temperaturës së deteve po kontribuojnë në këtë fenomen.

Temperatura e lartë e deteve rreth Evropës pritet gjithashtu të ndikojë në forcimin e valëve të ardhshme të të nxehtit, pasi uji i ngrohtë ruan nxehtësinë për më gjatë dhe pakëson efektin ftohës të erërave detare.

Shkencëtarët theksojnë se valët e të nxehtit do të vazhdojnë të bëhen edhe më të forta nëse emetimet globale të gazeve serrë nuk reduktohen. Sipas tyre, verat nuk do të jenë domosdoshmërisht çdo vit më të nxehta se njëra-tjetra, por tendenca afatgjatë është e qartë: temperaturat mesatare në Evropë do të vazhdojnë të rriten.

Top Channel