“Në Shqipëri nuk ka krizë besimi, ne jemi shembulli i bukur i lirisë”/ Rama për DW: Kur të jetë gati projekti për Zvërnecin, flasim! Beteja ime është të sjell investime të huaja

02/07/2026 18:58

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat që prej javësh po zhvillohen në Shqipëri.

Në një intervistë për Deutsche Welle, gjatë pjesëmarrjes së tij në festivalin e biznesit dhe inovacionit “r26” në Bochum të Gjermanisë, Rama foli jo vetëm për protestat, por edhe për vizionin e tij për zhvillimin e Shqipërisë, përdorimin e inteligjencës artificiale dhe sfidat e demokracisë.

Prej një muaji qytetarë shqiptarë po protestojnë çdo ditë kundër projektit të miratuar nga qeveria për ndërtimin e një resorti luksoz të lidhur me Jared Kushner. Ajo që nisi si një kundërshtim ndaj këtij investimi është shndërruar gradualisht në një lëvizje më të gjerë politike.

Gazetarja: Inteligjenca artificiale, demokracia, pushteti dhe qeverisja. Shqipëria pritet të marrë një injektim të madh parash. Po flasim për rreth 4 miliardë euro që pritet të vijnë nga zhvillimet turistike në bregdet. Pyetja ime e parë është: çfarë roli do të luajë inteligjenca artificiale në mbikëqyrjen e këtyre investimeve, për t’u siguruar që dimë se ku do të shkojnë këto para?

Edi Rama: Nuk e shoh lidhjen mes këtyre dy gjërave, por ajo që mund të them është se përmes inteligjencës artificiale ne mund t’i japim vetes çdo ditë më shumë dije dhe të përfitojmë nga një ndihmë që është absolutisht e paimagjinueshme për sa i përket aftësisë për të na informuar dhe këshilluar. Kjo është drejtimi ku do të shkojë.

Pjesë nga intervista-

Gazetarja: Po për çështjen e besimit? Ju folët për arkitekturën e pushtetit. Aktualisht në Shqipëri ka një krizë besimi ndaj kësaj arkitekture. Protestuesit flasin për mungesë demokracie, mungesë konsultimi publik dhe mungesë mbikëqyrjeje. Si do t’i bindni ata se këto ekzistojnë?

Edi Rama: Në Shqipëri nuk ka krizë besimi. Shqipëria është një shembull i bukur i lirisë, i demokracisë në veprim, me një bulevard që u përket njerëzve të të gjitha shtresave, të cilët kanë pikëpamjet e tyre dhe duan që zëri i tyre të dëgjohet. Kjo është një meritë e Shqipërisë dhe nuk është problem për Shqipërinë.

Gazetarja: Do të doja të flisnim për bukurinë, sepse si artist ju e kuptoni rëndësinë e saj dhe mënyrën se si transformimi i hapësirës publike mund të ndryshojë mënyrën se si një komb ndihet për veten. Nëse e ardhmja e Shqipërisë duket si një resort luksoz i Trump-Kushner, çfarë thotë kjo për Shqipërinë që po krijoni?

Edi Rama: Së pari, mund të më japin leksione për shumë gjëra: për ekonominë, çështjet ligjore, bujqësinë, shëndetësinë. Por ka një gjë për të cilën askush nuk mund të më japë leksione, dhe ajo është bukuria. Jo sepse jam artist, por sepse kam shërbyer si ministër i Kulturës, si kryetar bashkie dhe tani si Kryeministër, duke e bazuar gjithë mënyrën time të të menduarit te bukuria, transformimi i hapësirës publike dhe transformimi urban. Kjo ka qenë pjesë e rrugëtimit tim.

Nëse Shqipëria sot mirëpret 12 milionë turistë, kjo është falë kësaj përpjekjeje. Prandaj bukuria është diçka në të cilën besoj dhe për të cilën luftoj.

Tani, ju po përmendni emra, sepse jeni paragjykuese. Nuk mund t’ju përgjigjem…

Nuk mund të përgjigjem sepse ju përmendni emra. Si mund të përgjigjem se si mund të duket një projekt i Trumpit dhe Kushnerit? Çfarë pyetje është kjo? Si mund t’i përgjigjet dikush?

Unë nuk po sjell as njërin dhe as tjetrin si projekt. Projekti është ende duke u zhvilluar dhe kur të jetë gati, atëherë do ta diskutojmë projektin. Nuk do të diskutojmë njerëzit, personazhet apo betejat ideologjike me ta. Ato janë betejat tuaja, ju mund t’i bëni, por nuk janë betejat e mia.

Beteja ime është të sjell në Shqipëri investime të huaja direkte. Beteja ime është të realizoj zhvillime që jo vetëm do të jenë të mëdha për Shqipërinë, por do të jenë edhe një dhuratë për Evropën.

Top Channel