Arratisja e Hasan Ferracakut të masakrës së Velipojës, AMP vë në pranga katër efektivët që e ruanin

02/07/2026 19:51

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në Shkodër ka arrestuar në flagrancë katër punonjës policie të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi u krye pas informacioneve se shtetasi Hasan Ferracaku, i hetuari për masakrën e Velipojës ndaj të cilit ishte vendosur masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, nuk ishte konstatuar në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje dhe kontroll.

Pas verifikimeve dhe veprimeve hetimore, AMP ka proceduar me arrestimin e punonjësve të policisë: inspektorët Dorjan Hasandoçaj, Gentian Xhanari, Dioniz Hotaj, si dhe punonjësin Ridvan Zefi, të gjithë me detyrë pranë Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër.

Në të njëjtën kohë, shtetasi Hasan Ferracaku dyshohet se ka kryer veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka thyer kushtet e masës së sigurisë të vendosur nga gjykata.

Materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për vijimin e hetimeve dhe veprimeve të mëtejshme ligjore.

Top Channel