Trump deklaron 1 miliard dollarë më shumë pasuri në vitin 2025, si kriptovalutat i sjellin presidentit të SHBA të ardhura kolosale

01/07/2026 10:57

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se ka siguruar mbi 1 miliard dollarë të ardhura gjatë vitit 2025, ku pjesa më e madhe vjen nga bizneset e lidhura me kriptovalutat. Të dhënat janë bërë publike në deklaratën e detyrueshme financiare prej 927 faqesh.

Sipas raportit, Trump ka përfituar 635 milionë dollarë nga honoraret e monedhës dixhitale Trump, e cila u lançua pak ditë para rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht se vlera e saj ka rënë ndjeshëm që atëherë.

Ai gjithashtu ka deklaruar mbi 500 milionë dollarë të ardhura nga World Liberty Financial, një kompani e kriptovalutave e themeluar nga djemtë e tij dhe fëmijët e të dërguarit të posaçëm, Steve Ëitkoff.

Përveç sektorit të kriptovalutave, Trump ka fituar miliona dollarë nga bizneset e pasurive të paluajtshme, klubet e golfit dhe produktet me markën e tij, si ora, Bibla, parfume dhe artikuj të tjerë.

Shtëpia e Bardhë mohoi se presidenti po përfiton nga posti i tij, duke theksuar se bizneset e Trump administrohen nga një fond i menaxhuar nga djemtë e tij dhe se nuk ka konflikt interesi.

Megjithatë, ish-këshilltari për etikën në Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës së George Ë. Bush, Richard Painter, e cilësoi situatën si një “konflikt të qartë interesi”, ndërsa ekspertë të tjerë vunë në dukje se mënyra se si Trump menaxhon pasuritë e tij ndryshon ndjeshëm nga praktika e presidentëve të mëparshëm amerikanë.

Raporti tregon gjithashtu se Zonja e Parë, Melania Trump, ka përfituar 10.7 milionë dollarë nga një marrëveshje licencimi për dokumentarin kushtuar jetës së saj, si dhe 6 milionë dollarë nga shitja e NFT-ve.

Sipas revistës Forbes, pasuria e Donald Trump vlerësohet aktualisht në rreth 6 miliardë dollarë, ndërsa Bloomberg Billionaires Index e llogarit atë në 7.6 miliardë dollarë.

Top Channel