“PE kërkoi shfuqizimin e ligjit”, deputeti i PD, Belind Këlliçi: Të ngremë një komision hetimor sesi arkitektë të huaj kanë përfituar miliona

30/06/2026 11:03

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në seancën plenare të kësaj të marte, ku ngriti akuza ndaj qeverisë për mënyrën e zhvillimit të projekteve urbane dhe menaxhimin e territorit në vend.

Duke iu referuar protestave të zhvilluara prej javësh në Bulevard, rezolutës së Parlamentit Europian për ligjin e zonave të mbrojtura, si dhe librit “Albanian Files”, Këlliçi pretendoi se disponon fakte dhe prova që, sipas tij, dëshmojnë mungesën e transparencës në dhënien e projekteve dhe lidhjet e drejtpërdrejta të kryeministrit Edi Rama me arkitektë të huaj.

Ai kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar mënyrën se si janë dhënë projektet me vlera shumë milionëshe.

“Sot vij me fakte dhe prova që shpjegojnë se përse prej një muaji mijëra qytetarë protestojnë në Bulevard. Sollëm prova të shumta dhe nuk i morën parasysh. Kërkuam debat, sepse ky Kuvend nuk mund të sillet sikur jashtë këtyre mureve nuk po ndodh asgjë. Më 17 qershor PE miratoi rezolutën dhe kërkoi shfuqizimin për ligjin për zonat e mbrojtura dhe këtu kishte vetëm heshtje.

Madje shtatë deputetët që e miratuan këtë ligj nuk kanë dhënë sot asnjë shpjegim. Libri “Albanian Files” doli në mes të protestës, ky është prova. Çdo kullë e re ka shërbyer për të mbuluar pyetjen se nga vijnë këto para. Ky është libri i njerëzve që kanë projektuar Shqipërinë si çifligun privat të Edi Ramës. Ky libër tregon planin e kryeministrit për çdo pëllëmbë të këtij vendi.

Në këtë libër prej 750 faqesh nuk shfaqet asnjë arkitekt shqiptar. Në faqen 337 një arkitekt i madh rrëfen se mori një mesazh nga një tjetër arkitekte, për ta pyetur nëse numri i tij mund t’i jepej Ramës. Pesë minuta më vonë e mori kryeministri për ta pyetur nëse mund të bashkëpunonin. Tashmë po zhvillohet një projekt dhjetëra miliona euro dhe ky nuk është një rast i izoluar.

Arkitektët e pranojnë vetë këtë, madje flasin me mirënjohje. Njëri prej tyre thotë se vendimmarrja duhet marrë nga lart-poshtë. Kam një pyetje për ju dhe prokurorët e SPAK, a ndërtohet kështu një qytet? Me një telefonatë, pa konkurrencë dhe transparencë? Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në një vend ku telefoni zëvendëson ligjin.

Në këtë libër gjendet edhe një letër e Reinier De Graaf drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, ku i lutet që zgjedhjet e radhës të mos mbahen kurrë, madje Rama të vazhdojë si president i përjetshëm dhe pse jo, të kurorëzohet mbret. A do të guxonte ai t’i kërkonte këto në Holandë. Ndaj duhet të ngremë një komision hetimor sesi arkitektë të huaj kanë përfituar miliona euro. Parlamenti Europian ngre të njëjtat shqetësime me qytetarët në shesh, kërkojnë pikërisht Europën”, u shpreh Këlliçi.

Top Channel