“The Albanian Files”/ Berisha reagon pas deklaratës së Ramës: E trajton Shqipërinë si Sulltanatin e tij. Eurojust dhe Europol të hetojnë 523 projektet

28/06/2026 13:26

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas episodit të sotëm të podkastit “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po përpiqet të fshihet pas emrave të arkitektëve dhe studiove të huaja për të justifikuar atë që opozita e konsideron një grabitje të pasurive publike dhe private në Shqipëri.

Në një video-mesazh, Berisha tha se libri nuk dëshmon suksesin e qeverisë, por e paraqet Ramën si ‘një sulltan të një sulltanati të shekujve më parë’, që e trajton vendin si pronë personale.

Sipas tij, publikimi i 523 projekteve ngre pikëpyetje të mëdha mbi burimin e financimeve për hartimin e tyre, ndërsa kërkoi që institucionet ndërkombëtare si Eurojust, Europol dhe Interpol të hetojnë pagesat e kryera. Berisha akuzoi gjithashtu Ramën për konflikte interesi dhe përfitime familjare në zonën e Gjipesë, duke e cilësuar reagimin qytetar ndaj librit si ‘plotësisht të merituar dhe dinjitoz’.

Video-mesazhi i Kryetarit të PD, Sali Berisha:

Të dashur qytetarë dhe qytetare.

Sot në monologun e mashtrimeve të së dielës Edi Rama u ndal gjerësisht në librin dosja shqiptare dhe sulmoi me egërsinë më të madhe duke besuar se emrat e studiove dhe arkitektëve që janë përfshirë në atë libër do të jenë një mburojë e tij para publikut shqiptar.

E vërteta është se ai flet për inkuizicion për protestën dhe intelektualët që kanë shkruajtur, por në realitet ai libër dëshmon më shumë se çdo gjë tjetër, Edi Ramën një Sulltan të një Sulltanati të shekujve më parë në të cilin vendi është tërësisht pronë personale e tij.

Ky libër dëshmon dhe njëherë mungesën e plotë totale të transparencës dëshmon përsëri se Edi Rama e trajton Shqipërinë si një pashallëk apo një bajrak të tij. Përpiqet, rreket të paraqesë emra, studio e të tjerë si mburojë, por në fakt dhe këtu harron se njerëzit kanë në memorien e tyre, në kulturën e tyre raportet më të shëmtuara me diktatorët, me despotët në kohëra i kanë patur arkitektët dhe kjo kështu ka qenë edhe në diktaturën hoxhiste.

Ndaj dhe nuk i bën përshtypje asgjë me ato emra apo me ato studio.

Ka dy momente shumë të rëndësishme.

Së pari, ato 523 projekte të paktën duhet të jenë paguar me miliarda euro për hartimin e tyre.

Kush i ka paguar këto projekte? Cili është burimi i parave të këtyre projekteve?

Ftoj Eurojust-in, ftoj Interpol-in, ftoj Europol-in të hetojnë fillësisht burimin e pagesave në këto studio.

Së dyti, Edi Rama në atë libër ka interesa familjare, ka plaçkitur në kundërshtim me të gjitha ligjet, kanionin e Gjipesë dhe ka vendosur aty hotelin e fildishtë, e qelqtë mbi kanion.

Përveç saj dhe në troje të tjera. Ndaj dhe reagimi i publikut, reagimi i protestës ndaj librit ishte një reagim dinjitoz, i merituar plotësisht.

Top Channel