Autoritetet tajlandeze kanë arrestuar një shtetas australian 46-vjeçar, i dyshuar si autori i vrasjes brutale të një vajze 17-vjeçare, trupi i së cilës u gjet i fshehur brenda një valixheje.
I dyshuari u ndalua nga policia në Aeroportin Ndërkombëtar Suvarnabhumi të Bangkokut, teksa po përpiqej të blinte një biletë udhëtimi drejt Perthit, në Australi. Një zyrtar i policisë së Pattayas konfirmoi për agjencinë AFP se 46-vjeçari u mor në paraburgim pas marrjes në pyetje, ndërsa ai vijon të mohojë akuzat ndaj tij.
Hetuesit arritën te i dyshuari përmes analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë. Në video, australiani shfaqet duke hyrë në një ndërtesë në zonën turistike të Pattayas së bashku me 17-vjeçaren, gjatë natës mes së mërkurës dhe së enjtes.
Disa orë më vonë, ai është filmuar duke dalë vetëm nga ndërtesa, ndërsa mbante me vështirësi një valixhe të madhe të zezë, të cilën më pas e vendosi në pjesën e pasme të një skuteri.
Të nesërmen, policia gjeti valixhen e braktisur pranë shinave të trenit. Brenda saj u zbulua trupi i vajzës 17-vjeçare, e cila kishte shenja dëmtimesh, sipas raportimeve të mediave lokale.
Autoritetet janë në pritje të rezultateve zyrtare të autopsisë dhe analizave laboratorike për të përcaktuar saktësisht shkaqet e vdekjes dhe për të avancuar akuzat ndaj 46-vjeçarit.
Ai pritet të përballet me akuza për vrasje, rrëmbim të një të miture me motive seksuale dhe fshehje të trupit.
Top Channel