Berisha pas vizitës në Berlin: Takime në CDU dhe Bundestagun gjerman, denoncova diktaturën autokratike 

27/06/2026 12:40

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një vizitë në Berlin, ku mori pjesë në aktivitetin jubilar të Qarkut Parlamentar të Ndërmarrjeve të Mesme (PKM) të grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman dhe zhvilloi një sërë takimesh me personalitete të rëndësishme të politikës gjermane.

Kryedemokrati Sali Berisha bën të ditur se gjatë bisedimeve me deputetë dhe zyrtarë të lartë të CDU-së ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen ndaj Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare, ndërsa i ka njohur bashkëbiseduesit me atë që e cilësoi si krizën e thellë që po kalon vendi nën qeverisjen e Edi Rama.

“Në të gjitha këto takime shpreha mirënjohjen time të thellë ndaj miqve tanë, CDU-së dhe Bundestagut për mbështetjen e tyre ndaj Shqipërisë, Partisë Demokratike dhe opozitës në Shqipëri. Gjithashtu, i njoha bashkëbiseduesit e mi me krizën e thellë që po kalon vendi nën diktaturën autokratike të Edi Ramës, me kërkesat e drejta të rinisë shqiptare në protestën më të gjatë dhe më të fuqishme në historinë e Shqipërisë, si dhe me qëndrimin cinik të Edi Ramës dhe narkoqeverisë së tij ndaj këtyre kërkesave.

Gjatë qëndrimit tim në Berlin, takuam dhe u mikpritëm nga miku im ish deputetin dhe ish-zëvendës ministrin e Kosovës Gani Dreshaj dhe përfaqësues të tjerë të diasporës, të cilët i falënderoj shumë përzemërsisht për mikpritjen dhe lehtësitë që na krijuan gjatë qëndrimit në Gjermani”, shkruan Berisha krahas fotove.

Top Channel