Mbreti Charles publikon për herë të parë taksat e tij, pagoi 12.9 milionë paund! Zbulohen edhe të ardhurat e Princit William dhe vendimi për Buckingham Palace

26/06/2026 06:24

Mbreti Charles ka zbuluar për herë të parë shumën e taksave që ka paguar, duke u bërë monarku i parë në historinë moderne të Mbretërisë së Bashkuar që publikon faturën e tij tatimore.

Sipas raportit dhe llogarive vjetore mbretërore, ai pagoi 12.9 milionë paund taksa për vitin financiar 2024-2025, një shumë që e rendit mes 100 taksapaguesve më të mëdhenj në Britani.

Në të njëjtin raport bëhet e ditur se edhe Princi i Uellsit, William, ka bërë publike pagesën e tij të taksave, duke deklaruar se ka paguar 7.76 milionë paund tatim mbi të ardhurat dhe fitimet kapitale gjatë së njëjtës periudhë.

Sipas Pallatit Buckingham, publikimi i këtyre shifrave ishte një vendim personal i Mbretit Charles dhe Princit William, me synimin për të rritur transparencën dhe për të forcuar llogaridhënien e institucionit të monarkisë. Zyrtarët mbretërorë thanë se ky hap synon të ndihmojë publikun të kuptojë më mirë mënyrën se si administrohen financat e Familjes Mbretërore.

Raporti tregon gjithashtu se për vitin financiar 2023-2024, Mbreti Charles kishte paguar 11.7 milionë paund taksa, ndërsa Princi William 8.34 milionë paund. Në total, që prej vitit 2022, kur Charles u bë mbret dhe William trashëgimtar i fronit, ata kanë paguar së bashku mbi 50 milionë paund taksa ndaj autoriteteve britanike.


Megjithatë, raporti nuk jep një ndarje të detajuar të mënyrës se si është llogaritur detyrimi tatimor. Dihet vetëm se Mbreti paguan normën më të lartë të tatimit.

Burimi kryesor i të ardhurave të Mbretit Charles është Dukati i Lancasterit, një portofol pronash, tokash dhe investimesh i krijuar për të financuar shpenzimet zyrtare dhe private të monarkut. Për vitin 2025-2026, kjo pasuri i siguroi atij të ardhura prej 25.2 milionë paundësh. Përveç kësaj, ai përfiton të ardhura edhe nga investimet personale, kursimet, si dhe nga pronat private Balmoral dhe Sandringham.

Nga ana tjetër, Princi William financohet nga Dukati i Cornwall-it, një pronë trashëgimore me sipërfaqe rreth 130 mijë hektarësh dhe me vlerë rreth 1 miliard paund, që përfshin edhe stadiumin e kriketit Oval në Londër. Sipas sekretarit të tij privat, Ian Patrick, princi paguan tatimin mbi të ardhurat me normën më të lartë për të gjitha të ardhurat neto pasi zbriten kostot e lejuara, të cilat auditohen në mënyrë të pavarur.

Një tjetër vendim i rëndësishëm i bërë publik është se Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla nuk do të zhvendosen në Pallatin Buckingham pasi të përfundojnë restaurimet. Ata do të vazhdojnë të jetojnë në Clarence House, rezidencën e tyre që prej vitit 2005.

Sipas zyrtarëve të pallatit, ky vendim është marrë për të lejuar një akses më të madh të publikut në Pallatin Buckingham dhe për të rritur të ardhurat nga vizitorët. Restaurimi i pallatit, me një kosto prej afro 370 milionë paundësh, pritet të përfundojë në mars të vitit të ardhshëm. Ky do të jetë rasti i parë që nga mbretërimi i Mbretëreshës Viktoria që një monark zgjedh të mos banojë në Pallatin Buckingham.

Raporti financiar zbulon gjithashtu se Granti Sovran, burimi kryesor i financimit publik për monarkinë, do të rritet në 99.9 milionë paund në vit nga periudha 2027-2028. Këto fonde do të përdoren për mirëmbajtjen e rezidencave mbretërore, përmirësimin e sigurisë kibernetike dhe investime në energjinë e gjelbër, përfshirë zëvendësimin e kaldajave në Kështjellën Windsor.

Në raport përfshihen edhe shpenzimet e udhëtimeve mbretërore. Vizita më e kushtueshme jashtë vendit ishte ajo tre-ditore e Princit William në Arabinë Saudite, me një kosto mbi 130 mijë paund, ndërsa vizita shtetërore katër-ditore e Mbretit Charles dhe Mbretëreshës Camilla në Itali kushtoi rreth 127 mijë paund. Gjatë vitit të kaluar, Familja Mbretërore kreu gjithashtu 177 fluturime me helikopter, me një kosto totale prej mbi 733 mijë paundësh.

Një tjetër vendim i bërë publik është ai i Princit William për të hequr dorë nga përfitimi personal prej 1.5 milionë paundësh në vit nga qiraja e burgut Dartmoor. Me kërkesën e tij, këto para do të përdoren për të mbështetur komunitetin lokal të Princetown-it, pranë burgut, i cili është mbyllur që nga viti 2024 për shkak të niveleve të larta të gazit radon.

Publikimi i këtyre të dhënave është cilësuar nga ekspertët si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së transparencës së monarkisë britanike, në një kohë kur kërkesat për më shumë llogaridhënie mbi financat e Familjes Mbretërore janë bërë gjithnjë e më të forta.

Top Channel