Kryeministri Rama do të marrë pjesë në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës (Ukraine Recovery Conference – URC 2026), e cila zhvillohet më 25-26 qershor në Gdańsk të Polonisë, me pjesëmarrjen e kryetarëve të shteteve dhe qeverive, institucioneve financiare ndërkombëtare, përfaqësuesve të biznesit dhe organizatave të shoqërisë civile nga mbarë bota.

Konferenca synon të forcojë mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën dhe të mobilizojë investime për rindërtimin dhe zhvillimin afatgjatë të vendit. Punimet e saj do të fokusohen në sektorët më të prekur nga agresioni rus, përfshirë energjinë, infrastrukturën kritike dhe logjistikën, si dhe në forcimin e kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes, të konsideruara thelbësore për procesin e rindërtimit.

Kryeministri Rama do të pritet nga Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk dhe do të marrë pjesë së bashku me delegacionin që e shoqëron, në ceremoninë zyrtare të hapjes së Konferencës , ku më pas do të mbajë një fjalë përshëndetëse në sesionin e dytë plenar të saj.

Gjatë qëndrimit në Gdańsk, Kryeministri Rama do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me homologë.

Në kuadër të agjendës, Kryeministri do të takohet gjithashtu me drejtues të kompanive ndërkombëtare, përfshirë përfaqësues të sektorit të energjisë dhe investimeve, me fokus nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe mundësive të reja të zhvillimit.

Konferenca për Rindërtimin e Ukrainës shërben si platforma kryesore ndërkombëtare për koordinimin e mbështetjes politike, financiare dhe ekonomike ndaj Ukrainës, duke bashkuar aktorë publikë dhe privatë në funksion të rimëkëmbjes dhe transformimit afatgjatë të vendit.

Top Channel