Aktori i njohur hollivudian Mickey Rourke është fotografuar në rrugët e Los Angeles në një gjendje që ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe fansave.

73-vjeçari u pa pa dhëmbë, teksa ecte i vetëm, i veshur me një bluzë gri me zinxhir dhe kapuç mbi kokë, ndërsa përpiqej të fshihte fytyrën me syze dielli.

Paraqitja e tij vjen vetëm pak muaj pasi u përfshi në një betejë ligjore për banesën ku jetonte në Los Angeles. Në fund të vitit 2025, Rourke u dëbua nga apartamenti i tij për shkak të mospagimit të rreth 60 mijë dollarëve qira.

Në atë kohë, përfaqësuesit e aktorit deklaruan se ai kishte ndërprerë pagesat pasi kushtet e banesës ishin bërë të papranueshme. Sipas tyre, në pronë kishte probleme të vazhdueshme me brejtësit, defekte në hidraulikë dhe mungesë mirëmbajtjeje, pavarësisht kërkesave të përsëritura për riparime.

Ndërkohë, një fushatë GoFundMe e organizuar nga bashkëpunëtorë të afërt të ekipit të tij mblodhi rreth 100 mijë dollarë për ta ndihmuar financiarisht, por Rourke refuzoi t’i pranonte fondet, duke e cilësuar iniciativën si “poshtëruese”.

Në mars të këtij viti, një gjykatë në Los Angeles vendosi në favor të pronarit të banesës, Eric T. Goldie. Sipas dokumenteve gjyqësore, aktori i detyrohej 59,100 dollarë qira të papaguar. Meqenëse nuk iu përgjigj njoftimit për dëbim brenda afatit ligjor, gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të pronës dhe ndërprerjen e kontratës së qirasë.

Vendimi kishte të bënte vetëm me posedimin e banesës, ndërsa çështjet financiare që lidhen me detyrimet e qirasë mbeten të ndara nga procesi i dëbimit.

Top Channel