Erion Veliaj në qeli, Komisioni i Reformës Territoriale kërkon praninë e kryebashkiakut në dëgjesën e 30 qershorit

24/06/2026 23:01

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale, e cila u mblodh këtë të mërkurë, ka kërkuar praninë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në dëgjesën e 30 qershorit.

Gjatë Komisionit u bë e ditur se ftesa i është dërguar Bashkisë së Tiranës, kjo si pjesë e të njëjtit standard që është ndjekur për të gjitha bashkitë e vendit.

“Ne kemi caktuar një standard. Nuk kemi dëgjuar nënkryetarët, edhe kur kanë qenë të deleguar me porosi. Ftesën ia çojmë institucionit dhe institucioni merr masat përkatëse që të përfaqësohet nga personi që ka tagrin për të qenë kryetar i zgjedhur i bashkisë”, u shpreh kryekomisioneri.

Ndërkohë gjatë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale u diskutua edhe përfundimi i afatit të komisionit, e cila është deri më 15 korrik. Kryekomisioneri Arbjan Mazniku deklaroi se deri më 15 korrik komisioni ka për detyrë t’i prezantojë një raport të gjetjeve të saj.

“Komisioni sot për sot e ka mandatin deri më 15 korrik të këtij viti. Deri më 15 korrik ky Komision ka për detyrë t’i prezantojë një raport të gjetjeve të veta deri në këtë fazë, Parlamentit. Më pas Parlamenti duhet të marrë një vendim për secilin që do të jetë objektivi i kërkesave që do të bëjë.

Ne kemi për detyrë funksionale që deri më 15 të kemi një raport me një seri gjetjesh. Nëse në atë raport do të përfshijëm kërkesë për ndryshim afatesh, kërkesë për ndryshime, gjetje të tjera, strategji të tjera, ky është një diskutim që pasi të mbarojmë dëgjesën të mblidhemi në një mbledhje Komisioni ta debatojmë me njëri-tjetrin. Sovrani na ka dhënë një mandate 9 mujor, 35% të këtij mandate i çuam dëm duke mos u mbledhur”, tha Mazniku.

Top Channel