“Po ndërmarrim hapa për shkarkimin e presidentit”, Magyar: Do bëjmë gjithçka që të zhdukim korrupsionin në Hungari
Vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës po lë pasoja të rënda në disa vende të kontinentit, ndërsa autoritetet vijojnë të lëshojnë paralajmërime për rrezik të lartë ndaj shëndetit të qytetarëve.
Në Paris, temperaturat e larta kanë ndryshuar edhe pamjen e përditshme të qytetit. Brigjet e Kanalit Saint-Martin në Senë janë mbushur me qindra qytetarë që kërkojnë të freskohen, duke u futur në ujë ose duke mbajtur këmbët në të, për t’i shpëtuar vapës së madhe. Zona i ngjante më shumë një plazhi veror sesa një peizazhi urban në zemër të kryeqytetit francez.
Ndërkohë, autoritetet franceze kanë konfirmuar tre viktima si pasojë e problemeve shëndetësore të lidhura me temperaturat ekstreme. Situata ka detyruar qeverinë të marrë masa të jashtëzakonshme, duke mbyllur ose duke ndryshuar orarin e funksionimit për rreth 2,700 shkolla në të gjithë vendin.
Në qytetin e Bordeaux-së, temperaturat pritet të kalojnë 42 gradë Celsius, ndërsa shërbimi meteorologjik francez ka shpallur alarm të kuq për 49 rajone administrative.
Ministrja franceze e Shëndetësisë, Stephanie Rist, paralajmëroi se vendi do të përballet edhe për disa ditë me temperatura tepër të larta.
🚨Dinguerie à Paris : le canal Saint-Martin c'est devenu l'Aquaboulevard 😭😭
(Willyalaprod) pic.twitter.com/wuw7G38v2z— Rafael Sereti (@RafaelSereti) June 21, 2026
“Po shkojmë drejt të paktën disa ditëve me mot shumë, shumë të nxehtë. Nuk e dimë ende se kur temperaturat do të fillojnë të bien”, deklaroi ajo për mediat franceze.
Situatë alarmante paraqitet edhe në Spanjë. Agjencia shtetërore meteorologjike Aemet ka shpallur alarm të kuq për rajonin e Vendit Bask, ndërsa në qytetin e San Sebastianit temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, pothuajse dyfishin e mesatares sezonale.
🇫🇷 38 degrés à Paris, le Canal Saint-Martin prend des airs de piscine géante, et le pont s’est transformé en véritable plongeoir sous cette chaleur étouffante ! 🥵 💦 pic.twitter.com/G1aL3PRy22
— Wolf 🐺 (@PsyGuy007) June 21, 2026
Sipas meteorologëve, në shumë zona të Spanjës temperaturat po regjistrohen nga 5 deri në 10 gradë më të larta se normalja, ndërsa në disa rajone veriore diferenca tejkalon edhe 10 gradë Celsius.
Edhe gjatë natës, temperaturat mbeten jashtëzakonisht të larta. Në disa zona të vendit, termometri nuk zbret nën 25 deri në 30 gradë Celsius, duke vështirësuar ndjeshëm kushtet e jetesës për qytetarët.
Sipas të dhënave të Reuters Climate Monitor, Evropa është aktualisht kontinenti që po përjeton devijimin më të madh të temperaturave nga mesatarja historike. Temperatura mesatare maksimale në kontinent është rreth 24 gradë Celsius, ose 4.1 gradë mbi mesataren e periudhës 1961-1990.
Por pasojat e valës së të nxehtit nuk po ndihen vetëm tek njerëzit.
Rezervatet e kafshëve të egra në Evropën Veriore raportojnë një rritje të numrit të kafshëve që po vuajnë nga temperaturat ekstreme. Në Belgjikë, biologu Romain de Jaeger, themelues i rezervatit të kafshëve të egra CREAVES në Temple, tha se shumë zogj po braktisin foletë e tyre për të mbijetuar.
Sipas tij, temperaturat nën çatitë e ndërtesave mund të arrijnë deri në 50 apo 60 gradë Celsius, duke i detyruar zogjtë të largohen nga foletë për të shmangur vdekjen nga nxehtësia.
“Temperatura në çati ndonjëherë mund të arrijë 50, madje 60 gradë Celsius. Ata preferojnë të kërcejnë nga foletë sesa të vdesin nga i nxehti”, u shpreh ai.
Vetëm gjatë tre ditëve të fundit, strehimi për kafshët e egra në Belgjikë ka pranuar rreth 150 kafshë të prekura nga vala e të nxehtit.
Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat ekstreme pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke mbajtur në alarm autoritetet dhe shërbimet e emergjencës në të gjithë Evropën.
Top Channel