Bisedimet SHBA-Iran japin sinjale pozitive, Vance: Arritëm pikërisht atë që synonim Njoftimi se Irani e ka mbyllur sërish Ngushticën e Hormuzit, është pasuar nga një rënie e ndjeshme e trafikut detar në këtë korridor strategjik ujor.
Të dhënat e kompanive të monitorimit të transportit tregojnë një reduktim të fortë të numrit të anijeve që po lundrojnë në zonë. Teherani u shpreh se mbyllja e ngushticës- përmes të cilës përpara konfliktit kalonin rreth 20% e furnizimeve globale me naftë dhe gaz- erdhi si formë hakmarrjeje ndaj shkeljeve të një marrëveshjeje të përkohshme armëpushimi nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Sipas të dhënave të kompanisë analitike Kpler, më 21 qershor vetëm pesë anije kaluan nëpër ngushticë, krahasuar me 26 një ditë më parë. Tre prej anijeve të regjistruara ishin transportues gjigantë të naftës së papërpunuar secila me kapacitet rreth 2 milionë fuçi naftë.
Njëra prej tyre ishte nisur drejt Japonisë, ndërsa dy të tjera transportonin naftë dhe karburant të papërpunuar saudit. Ekspertët paralajmërojnë se disa anije mund të mos jenë përfshirë në statistika, pasi operatorë të caktuar çaktivizojnë pajisjet e gjurmimit gjatë lundrimit në Gjirin Persik.
Irani e kishte hequr bllokadën e ngushticës javën e kaluar, pasi arriti një marrëveshje me SHBA-në për zgjatjen me 60 ditë të armëpushimit të shpallur në prill, duke krijuar hapësirë për negociata më të gjera paqeje. Megjithatë, të shtunën, Garda Revolucionare Islamike e Iranit njoftoi sërish mbylljen e kësaj rruge ujore, duke e lidhur vendimin me sulmet izraelite në Liban.
Top Channel