Sulmohet aeroporti i Diori Hamani-it në Niger, humbin jetën 35 persona, mes tyre 11 ushtarë

19/06/2026 08:53

Tridhjetë e pesë persona humbën jetën pas një sulmi të armatosur ndaj aeroportit më të madh të Nigerit të enjten, në atë që konsiderohet sulmi i dytë ndaj këtij objekti strategjik brenda më pak se pesë muajsh.

Banorët e kryeqytetit Niamey  kishin përfunduar lutjet e mëngjesit kur dëgjuan shpërthime dhe të shtëna me armë zjarri pranë aeroportit ndërkombëtar Diori Hamani.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Nigerit, mes viktimave janë 22 sulmues, 11 ushtarë dhe 2 civilë.

Më vonë gjatë ditës, grupi xhihadist Jama’at Nusrat al-Islam wal-Muslimin, i lidhur me Al-Kaedën, mori përgjegjësinë për sulmin.

Nigeri është përballur prej më shumë se një dekade me një kryengritje islamiste. Në janar të këtij viti, një grup i lidhur me të ashtuquajturin Shteti Islamik mori përgjegjësinë për një tjetër sulm ndaj të njëjtit aeroport.

Autoritetet njoftuan se situata u vu nën kontroll në orët e paradites, ndërsa forcat e sigurisë nisën operacione për identifikimin dhe kapjen e çdo sulmuesi të mbetur.

Një banor i zonës pranë aeroportit, Lawalli Tsalha, tha se shpërthimet u dëgjuan menjëherë pas përfundimit të lutjeve të mëngjesit.

“E përfunduam lutjen rreth orës 05:50 dhe pak më vonë dëgjuam një zhurmë të fortë, sikur diçka të kishte shpërthyer. Vetëm pak minuta më pas kuptuam se çfarë po ndodhte”, rrëfeu ai.

Aeroporti Diori Hamani, i cili ndodhet pranë një baze ushtarake, konsiderohet një objekt me rëndësi të lartë strategjike për sigurinë e vendit.

Top Channel