Parti e re pas 2 javësh protestë? Debat mes intelektualëve, Lubonja kundër: Nuk angazhohem në asnjëlloj grupimi. Kastriot Çipi: Një forcë e re i duhet vendit

18/06/2026 10:54

Pas më shumë se dy javësh nga nisja e protestës jopartiake përpara kryeministrisë, një grup figurash publike, aktivistë, gazetarë, doktorë, artistë, kanë debatuar nëse tani duhet krijuar një parti e re që të përfaqësojë protestuesit, apo të vijohet me deklarata mbështetëse.

Kastriot Çipi shkruan në një status të tijin në Facebook se në takimin e pak ditëve më parë të një grupi inetelektualësh, mes të cilëve edhe Fatos Lubonja dhe aktivisti Petrit Levendi, regjisori ka thënë se vendit i duhet një parti e re.

Këtë ide e ka kundërshtuar analisti Fatos Lubonja, i cili ka hedhur idenë e hartimit të një deklarate mbështetëse, e cila në fund është pranuar.

“Në të dy takimet, Fatos Lubonja ka përsëritur qëndrimin e tij të prerë, për të mos u angazhuar personalisht në asnjë lloj grupimi, lëvizjeje me logo, apo partie të re. Ai propozoi të nënshkruanim një deklaratë mbështetjeje dhe ashtu u bë. Për sa më takon mua, unë kam shpallur publikisht, të paktën qysh prej vitit 2018, bindjen time se Shqipëria ka nevojë për një parti të re, të bazuar mbi demokracinë direkte të modelit zviceran, që refuzon ndarjen klishe “e majtë – e djathtë”. Këtë bindje e kam edhe sot dhe nuk ndihem aspak i kompleksuar nga akuzat për “protagonizëm”, shkruan Çipi.

Fatos Lubonja, Arben Malaj, Dashamir Shehi, Myslym Murrizi, Kastriot Çipi dhe një grup intelektualësh kanë firmosur një deklaratë ku kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë dhe miratimin e një qeverie teknike.

I bëjmë thirrje Popullit Shqiptar, të bëhet pjesë e këtij revolucioni paqësor dhe të mbështesë kërkesat e protestuesve. Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ndahuni sot me udhëheqësit tuaj dhe dëgjoni zërin e qytetarëve. Rrëzoni Qeverinë aktuale dhe miratoni një qeveri tranzitore, me përfaqësues nga shoqëria civile, e cila duhet të organizojë zgjedhjet e parakohshme. Prokurorë të SPAK-ut. Hetoni me përparësi dhe pa vonesë aktet korruptive të Qeverisë!”, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë.

Top Channel